Ndërlidhjet

Rënia e Ramadit e ndryshoi luftën kundër ekstremistëve

  • RFE /RL

Pas okupimit të Ramadit nga ana e militantëve të Shtetit Islamik, gjatë fundjavës së kaluar, Iraku e ka ndryshuar fundamentalisht mënyrën e luftimit të forcave irakiane kundër ekstremistëve të udhëhequr nga myslimanët sunitë, duke i angazhuar milicitë shiite të mbështetura nga Irani, për t’i mbrojtur tokat e fiseve sunite dhe duke i shtuar kontaktet zyrtare ushtarake të Bagdadit me Teheranin.

Derisa forcat qeveritare e kishin kontrollin ndaj Ramadit, liderët fisnorë proqeveritarë në provincën Anbar, e kundërshtonin praninë e milicive shiite të mbështetura nga Irani në rajon.

Por, prej 17 majit, kur forcat qeveritare u tërhoqën nga pozicionet e tyre në pjesën më të madhe të Ramadit, që është kryeqytet i provincës Anbar, po këta liderë të njejtë fisnorë sunitë, kanë kërkuar ndihmë nga luftëtarët shiitë në kuadër të një grupi të njohur si Hashid al-Shaabi, që do të thotë, Njësitet Mobilizuese Popullore.

Si rezultat i këtij ndryshimi bazik, luftëtarët e milicive shiite, të mbështetura nga Irani, tashmë janë vendosur brenda hapësirave sunite, në kuadër të frontit të Ramadit.

Njëherësh, ministri i mbrojtjes i Iranit, Hossein Dehghan, ka arritur në Bagdad, për bisedime me zyrtarët e Irakut, se si të zgjerohet mbrojtja dhe bashkëpunimi ushtarak kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Kjo shënon një nivel të paprecedent të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Bagdadit dhe Teheranit.

Kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi, liderët fisnorë sunitë proqeveritarë dhe Shtetet e Bashkuara, ishin hezitues ndaj vendosjes së luftëtarëve shiitë në Ramadi, ndërsa ishin në favor të vendosjes së forcave të rekrutuara lokale sunite, për të luftuar kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik, që udhëhiqen nga sunitët.

Por, liderët proqeveritarë sunitë në Anbar, tash thonë se okupimi i Ramadit nga militantët e Shtetit Islamik, ka treguar se qeverisë i duhet mbështetja e luftëtarëve që përkrahen nga Irani.

Shefi i Këshillit provincial në Anbar, Sabah Karhout, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se programi për Irakun, të gjithë anëtarët e këtij këshilli kishin votuar për këtë çështje dhe kishin pranuar se ka nevojë për mbështetje nga luftëtarët shiitë.

Yusuf al-Kilabi, zëdhënës i sigurisë për Njësitet Mobilizuese Popullore, tha se mijëra luftëtarë shiitë janë dërguar në betejë dhe kjo “mjafton për ta çliruar qytetin” nga militantët e Shtetit Islamik.

Qeveria e kryeministrit Abadi, thotë se e ka kontrollin ndaj luftëtarëve shiitë brenda Njësiteve Mobilizuese Popullore.

Pjesëtarët e këtyre njësive kanë luajtur rol kritik në ofensivën e qeverisë për rimarrjen e kontrollit në Tikrit, që po ashtu, ishte i okupuar nga militantët e Shtetit Islamik.

Duke u shprehur për zhvillimet në Ramadi, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se beson se avancimet e bëra nga militantët e Shtetit Islamik, do të fillojnë të pësojnë zbprasje, gjatë ditëve të ardhshme.

“Komunikimet e militantëve të Shtetit Islamik janë reduktuar, fondet dhe mekanizmat financiarë janë reduktuar, dhe lëvizjet e tyre, po ashtu, janë reduktuar nga patrullimet ajrore dhe kapacitetet e tjera, por jo çdokund. Prandaj, ishte e mundshme për të pasur lloj të sulmit, siç e pamë në Ramadi. Por, jam absolutisht i sigurt se në ditët e ardhshme kjo do të kthehet”, tha John Kerry.

Pentagoni ka shprehur përkushtim se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara do t’i vazhdojë sulmet ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Ramadi, dhe ka njoftuar se gjatë disa ditëve të fundit i ka ndërmarrë 19 sulme ajrore.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG