Ndërlidhjet

Papunësia dhe varfëria ushqejnë ideologjitë ektsremiste


Ilustrim
Ilustrim

Papunësia dhe varfëria janë kërcënimet më të mëdha për një shoqëri, sepse ushqejnë kulturën e paligjshmërisë dhe ideologjitë ekstremiste.

Kështu ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një konference të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës me temën, “Rëndësia e Dialogut dhe Partneritetit me Komunitetin e Biznesit në Hartimin e Legjislacionit në funksion të zhvillimit”.

Duke folur për gjendjen ekonomike në Kosovë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka theksuar se nuk duhet të lejohet gjendja ekzistuese ekonomike, për të cilën, siç ka theksuar ai, "nuk është e mirë".

Sipas tij, tani është koha që ekonomia të kthehet në agjendat më të rëndësishme të shtetit të Kosovës.

“Është momenti i fundit që vendin ta nxjerrim nga parametrat e stagnimit ekonomik dhe të nxisim një rritje reale ekonomike. Rritja ekonomike prej tre për qind, sa është vlerësuar të jetë për këtë vit, nuk plotëson kërkesat për vende të reja të punës. Është koha të kalojmë prej premtimeve në veprime ne nuk kemi kohë të humbim”, ka theksuar Veseli.

Kosovës urgjentisht, ka shtuar Veseli i duhet krijimi i Fondit për garantim të kreditimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Bizneset në Kosovë, ka theksuar Veseli duhet të jenë të pjesë e hartimit të ligjeve që kanë të bëjnë me ekonominë, pasi që siç shprehet ai, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik dhe nuk mund të ketë ligje të suksesshme nëse bizneset nuk marrinë pjesë në vendimmarrje.

“Përmes rritjes ekonomike, mund të ndikojmë në uljen e treguesve negativ, siç janë papunësia, varfëria dhe bilanci tregtar negativ. Këta tregues janë kërcënimi më i madh për një shoqëri, sepse papunësia dhe varfëria ushqejnë kulturën e paligjshmërisë dhe rrezikun e ideologjive ekstremiste. Ndërsa bilanci negativ tregtar gjithmonë është një rrezik potencial për të rrënuar gjithë sistemin ekonomik”, thekson Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Veseli po ashtu ka bërë të ditur se ka marrë vendim që brenda objektit të Kuvendit të hap një zyrë e cila do tu takojë bizneseve, në mënyrë që të jenë drejtpërdrejtë të kyçura në hartimin e ligjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka theksuar se zhvillimi ekonomik i një vendi lidhet drejtpërdrejtë me heqjen e pengesave burokratike, politikat lehtësuese qeveritare dhe sundimin e ligjit.

“Kompletimi i një kornize ligjore e cila do të jetë në funksion të zhvillimit është prioritet i Kuvendit të Kosovës dhe nuk mund të ketë legjislacion të zhvillimit nëse nuk ka dialog dhe partneritet me sektorin privat”, shton ai.

Rënia e investimeve të huaja në Kosovë, po ashtu është theksuar si mjaft shqetësuese nga kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini.

“Investimet në Kosovë janë në rënie dhe kjo nuk është rezultat i mungesës së iniciativës nga komuniteti i biznesit por si rezultat i mos prodhimit të politikave zhvillimore për ekonominë e vendit”, ka theksuar ai.

Sa i përket rënies së investimeve të huaja, Shpend Balija nga Këshilli Evropian i Investitorëve, ka theksuar se legjislacionin në Kosovë ka anashkaluar në njëfarë mënyre investitorët.

“Zbatimi dhe jo konsistenca e zbatimit të ligjeve është gjithashtu një defekt apo problem për bizneset këtu. Ka raste kur ligjet amandamentohen dhe ligji i vjetër ende përdoret në disa rajone apo komuna, dhe kjo drejtpërdrejtë dëmton investitorët e huaj”, ka shtuar Balija.

Papunësia dhe varfëria janë dy problemet më të mëdha që kanë përcjellë Kosovën viteve të fundit. Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, është mbi 30 për qind.

Derisa, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës , varfëria e përgjithshme është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme është 10.2 për qind.

XS
SM
MD
LG