Ndërlidhjet

Strasbourg: Edhe një raund tjetër pa epilog


Zoran Zaev dhe Nikolla Gruevski

Zoran Zaev dhe Nikolla Gruevski

Pa asnjë epilog kanë përfunduar takimet në Strasbourg për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Në një komunikatë të përbashkët të publikuar pas takimeve që kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski dhe lideri i opozitës, Zoran Zaev kishin me europarlamentarët, Riçard Houit, Eduard Kukan, Ivo Vajgell, është përshëndetur dialogu dhe “debati i sinqertë“ i liderëve politikë për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza, por pa u dhënë detaje nëse palët kanë afruar qëndrimet e tyre.

“Liderët e VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së mbeten të përkushtuar në procesin euroatlantik. Në rend të parë kanë vendosur interesat shtetërore. Të dyja palët u pajtuan se duhe të ketë takimet të mëtejme“, thuhet në komunikatën e tre eurparlamentarëve, të publikuar pas bisedimeve që kanë zgjatur deri në orën tre të mëngjesit.

Dy partitë në këto bisedime kanë mbrojtur qëndrimet tashmë të njohura për opinionin. Lidhja Social-Demokrate e opozitës, kërkon dorëheqjen e kabintetit të kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe formimin e një qeverie kalimtare të ekspertëve, e cila do të kishte mandat vendosjen e sundimit të ligjit, pastrimin e listës zgjedhore dhe përgaditjen e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Nga LSDM-ja thonë se “zbardhja e bisedave telefonike nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, ka dëshmuar se pushteti aktual është përfshirë në krime të rënda, andaj edhe ka humbur legjitimitetin për të drejtuar vendin“.

Por, kryeministri Nikolla Gruevski, ka hedhur poshtë këto pretendime, duke akuzuar liderin e opozitës, Zoran Zaev, se “është vënë në shërbim të agjenturave të jashtme me qëllimin e vetëm, destabilizimin e vendit“.

Gruevski tha se "afera e përgjimeve është montuar" dhe se ai asnjëherë nuk do të dorëzohet para “kërcënimeve dhe shantazheve të opozitës“.

Njohësit e çështjeve politike thonë se në bisedimet që tashmë kanë nisur me ndërmjetësim ndërkombëtar, “beteja“ kryesore ka të bëjë me atë se kush do të udhëheqë me qeverinë kalimtare.

“Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin, por mbetet të shihet se si do të rrjedhin negociata mes dy liderëve kryesor politik maqedonas. Është e qartë se do të ketë qeveri kalimtare, por beteja kryesore ka të bëjë me atë se kush do të jetë kryeministër, a do të vazhdojë ky kryeministër apo do të jetë dikush tjetër, cilat do të jenë pozicionet e partive në qeverinë e ardhshme, e kështu me radhë".

"Pra kemi të bëjmë me blerje kohe nga partitë, me taktizime për të fituar maksimumin e një zgjidhjeje të mundshme në javët në vijim“, thotë për Radion Evropën e Lirë, Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Denko Maleski, ish ministër i Punëve të Jashtme thotë se në tavolinë janë të gjitha opsionet, përfshirë edhe mundësinë që dy liderët të japin dorëheqje.

“Nuk e përjashtoj edhe këtë mundësi pasi për diçka të tillë ishte pajtuar edhe kreu i opozitës. Mendoj se të gjithë skenarët janë në lojë, por ajo që për momentin është më me rëndësi për faktorin ndërkombëtar ka të bëjë me atë që të mos ketë akte dhune, por zgjidhja të kërkohet në kuadër të negociatave".

"Sidoqoftë vlerësoj se faktori ndërkombëtar seriozisht është kyçur në bisedimet për zgjidhjen e krizës dhe kjo dëshmohet edhe me pjesëmarrjen në bisedime të komisionerit, Johanes Han. Kjo tregon se BE-ja ka ngritur alarmin në raport me Maqedoninë“, thotë për Radion Evropa e Lirë, Denko Maleski, ish ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Ndryshe, bisedimet për krizën politike po zhvillohen nën hijen e aksionit në Kumanovë, që la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armartosur, por numri i viktimave u ndryshua nga vetë prokuroria maqedonase.

Luftimet mes policisë dhe një grupi të armatosur kanë lënë dilema nëse ky incident i rëndë ishte nxitur për, siç thuhet, "destabilizimin e Maqedonisë", apo "shpërqëndrimin e vëmendjes nga kriza e rëndë politike" në të cilën ndodhet vendi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG