Ndërlidhjet

Rama: Nuk ka Maqedoni të integruar, pa zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit


 Edi Rama
Edi Rama

Në Shqipëri është organizuar Samiti i parë Rajonal i Luftës kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Në të morën pjesë zyrtarë të sigurisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe disa shtete të Bashkimit Evropian. Ky samit ishte pjesë e nismës së qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për luftimin e rekrutimit të luftëtarëve në Evropë për grupet militante islamike.

Pjesëmarrëse në këtë samit ka qenë edhe Sarah Sewall, Nënsekretare e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut.

Maqedonia dhe ngjarja e Kumanovës ishte një ndër temat e prekura në Samitin e Sigurisë në Tiranë, për ç'gjë foli edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama...

“Fatkeqësisht fjala terrorizëm dhe fjala shqiptar u bënë bashkë, në një përpjekje të rrezikshme për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike, dhe etnisë një parashtesë paragjykuese".

"Kjo është e papranueshme, jo vetëm për ne, por për vetë interesin e Maqedonisë dhe autoritetet maqedonase duhet ta kenë shumë të qartë: që shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten një faktor shtet-formues i patjetërsueshëm, i pazëvendësueshëm dhe i padiskutueshëm për integritetin e shtetit maqedonas”.

Më 9 dhe 10 maj, forcat e rendit në Maqedoni ndërmorrën një aksion në një lagje në Kumanovë, kundër siç thuhej, "një grupi të armatosur". Përleshja e armatosur përfundoi me 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të dyshuar të grupit të armatosur.

Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armartosur.

Për sa i përket mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në lidhje me proceset e saj integruese, kryeministri shqiptar kërkoi zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit nga ana e Shkupit zyrtar.

“Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO, pa garantuar në frymë dhe në germë, Marrëveshjen e Ohrit. Një Maqedoni ku liritë dhe të drejta e njeriut të përkojnë në frymë dhe në germë, me aspiratën e shpallur të Maqedonisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s”.

E pyetur për situatën në Maqedoni, zonja Sewall, tha se opozita duhet të ndërpresë bojkotin dhe zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut.

Në lidhje me sigurinë dhe luftën kundër rekrutimit të luftëtarëve nga Evropa, zonja Sewall u ka kërkuar vendeve të rajonit që të përmirësojnë bashkëpunimin dhe të përpilojnë strategjitë për luftimin e rekrutimit.

Nënsekretarja e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut tha se Ballkani perëndimor është shndërruar në “burim të luftëtarëve të jashtëm terroristë në Siri dhe Irak”, pjesërisht për shkak të luftërave të fundit në ish-Jugosllavi.

Për ata luftëtarë që vendosin të rikthehen në vendin e tyre, zonja Sewall tha gjatë një interviste për televizionin shqiptar "Top-Channel" foli edhe për çështjen e kthimit potencial të luftëtarëve të huaj në vendet e tyre.

“Çështja e luftëtarëve të huaj që udhëtojnë jashtë dhe potencialisht kthehen është një çështje që shqetëson shumë vende. Një nga pikat që u theksua në samitin rajonal ishte se ka një numër arsyesh që njerëzit zgjedhin".

"Pra, lloji i përgjigjes që një qeveri mund të ketë për një luftëtar që kthehet, mund të variojë thellësisht në varësi të motiveve të atij luftëtari që në fillim. Dhe kjo është një çështje me të cilën po ballafaqohen shumë vende dhe gjithashtu një prej temave të nxehta të këtyre samiteve rajonale dhe samitit të Shtëpisë së Bardhë.”

Një studim i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i publikuar në Kosovë, muajin e kaluar, thotë se afro 700 luftëtarë nga vendet e Ballkanit perëndimor kanë udhëtuar në Irak dhe Siri, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ishin me origjinë nga Bosnja apo Kosova.

Nga Shqipëria mendohet se janë larguar rreth 70 luftëtarë drejt Sirisë, për t’iu bashkuar organizatës militante të Shtetit Islamik.

XS
SM
MD
LG