Ndërlidhjet

Demolli: S'do të ketë batalion serb në FAK


Në Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të ketë batalion të veçantë serb për komunat veriore, ka thënë ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.

Këto komente ai i ka bërë gjatë seancës së Kuvendit ku opozita i ka përsëritur kërkesën qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më shpejt për miratim amandamentet kushtetuese dhe ligjin për themelimin e Forcave të Armatosura.

Sipas planit të punës së qeverisë, ishte paraparë që procedurat ligjore për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës të fillonin që nga data 31 mars e këtij viti.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi në seancën plenare të së enjtes të Kuvendit ka kërkuar që kjo çështje të mos zvarritet tutje, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet sa më shpejt në Forca të Armatosura.

"Unë jam e vetëdijshme se kjo çështje tejkalon një parti politike, tejkalon një deputet dhe se ka nevojë për dy të tretat e votave të Kuvendit, por megjithatë është një çështje e prioritetit nacional të Republikës së Kosovës dhe është momenti kur ne duhet të bëhemi bashkë përtej partive dhe interesave të ngushta dhe ta kalojmë sa më parë ligjin për Ushtrinë dhe Kosovën ta bëjmë me Ushtri", ka theksuar Kadaj Bujupi.

Lidhur me kërkesat e opozitës, ministri Forcës së Sigurisë, Haki Demolli ka thënë se qysh gjatë javës së ardhshme qeveria pritet t'i procedojë amandamentet kushtetuese në Kuvend në mënyrë që më pas të përcillet edhe ligji për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës.

Njëherësh, Demolli i ka demantuar disa informacione të publikuara kohët e fundit në disa media se brenda Forcave të Armatosura mund të themelohet edhe një batalion i veçantë serb në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se për këtë çështje nuk ka biseduar asnjëherë me askënd, qoftë nga përfaqësuesit vendas apo ata ndërkombëtar. Demolli është zotuar se edhe po të ketë një propozim të tillë, ai nuk do ta pranojë atë.

"Pavarësisht diversitetit etnik e gjinor, FSK-ja është dhe do të mbetet një forcë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës, me një komandë të vetme dhe unike për të gjithë pjesëtarët e saj. Më duhet t'ju sigurojë që unë, personalisht në asnjë situatë dhe asnjë rrethanë nuk do të pajtohem me një propozim të tillë, pavarësisht propozuesit të tij", ka thënë Demolli.

Në prill të vitit 2014, me kërkesën e qeverisë së Kosovës, Gjykata Kushtetuese i kishte cilësuar në harmoni me kushtetutën amandamentet për themelimin e Forcave të Armatosura. Mirëpo më pas, kishte dështuar miratimi i tyre ne Kuvend, pasi që në seancë nuk patën marrë pjesë deputetët nga radhët e komunitetit serb.

Amandamentimi i Kushtetutës së Kosovës, kërkon jo vetëm dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, por edhe dy të tretat e votave të deputetëve nga minoritetet.

Andaj, procedimi i amandamenteve për themelimin e Forcave të Armatosura do të diktoj sërish nevojën e arritjes së ndonjë marrëveshje me Listën Serbe, si subjekti politik që përfaqësohet me 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG