Ndërlidhjet

Novorossia ka flamur, himn dhe një shërbim të lajmeve, por mund të mos ketë më të ardhme.

Projekti, i cili do të kombinonte rajonet separatiste të Ukrainës në një shtet të pavarur pro-rus, të njohur si Rusia e Re ose Novorossia, duket se i ka ditët e numëruara, pas njoftimit që ka bërë një zyrtar i lartë separatist.

Oleg Tsaryov, kryetar i të ashtuquajturit parlamenti i përbashkët i republikave të vetëshpallura të Donjeckut dhe Luhanskut, ka njoftuar këtë javë se aktivitetet e të gjitha strukturave të Novorossia-s janë ngrirë, në përputhje me Marrëveshjen e Minskut për Paqe, e cila synon t’iu japë fund armiqësive në lindje të Ukrainës.

“Po e bëjmë këtë sepse nuk duam të fajësohemi për shkelje të Marrëveshjes së Minskut”, ka thënë Tsaryov për shërbimin rus të lajmeve.

“Dokumenti përcakton se republikat e Donjeckut dhe Luhanskut do të jenë pjesë autonome të Ukrainës. Por, nuk është thënë asgjë në lidhje me Novorossia-n”, ka shtuar Tsaryov.

Deklarat e tij duket se i mbyllin perden kërcënimit njëvjeçar, që do të përfundonte me një mozaik të madh territorial, nga Kharkivi në Odesa.

Projekti Novorossiya është inauguruar më 24 maj të vitit 2014 në Donjeck.

Ai është përputhur me vizionin agresiv të Moskës për “Rusinë e Madhe”, i cili ka nisur me aneksimin e Krimesë dhe do të zgjerohej eventualisht me Kaukazin Jugor, Azinë Qendrore dhe rajonin separatist të Moldavisë, Transdniester.

Fjala Novorossia ka nisur të përvidhet në mediat ruse dhe presidenti Vladimir Putin e ka përdorur atë në deklaratat publike.

Formalisht, ai i është referuar pjesës që kontrollohet nga separatistët në lindje të Ukrainës, por kërcënimi ka qenë i qartë dhe përdorimi i shpeshtë i termit ka rritur frikën se rebelët mund të bëjnë përpjekje që të pushtojnë gjithë pjesën jugore të Ukrainës, duke i dhënë Rusisë qasje të papenguar në Krime dhe Transdniester.

Por, raportet e shtypit kanë sugjeruar se mbështetja e Moskës për Novorossia-n nuk ka qenë e mjaftueshme për ta shndërruar atë nga një ide teorike në një realitet politik.

Një pjesë e problemit ka qënduar në faktin se Novorossia nuk ka qenë kurrë në gjendje të zgjerohet përtej dy anëtarëve fillestarë, Donjeckut dhe Luhanskut.

Edhe pse referendumet për vetëvendosje në maj të 2014-ës kanë qenë fillimisht të planifikuara për tetë rajone të Ukrainës, rezistenca e organizuar e autoriteteve pro-Kievit ka bërë që ato përfundimisht të mbahen vetëm në pjesët e Donbasit, të kontrolluara nga separatistët.

Megjithatë, jo të gjithë mbështetësit e Novorossia-s janë të gatshëm ta konsiderojnë atë një projekt të mbyllur.

Denis Pushilin, kryetari aktual i republikës së vetëshpallur të Donjeckut, ka thënë se Novorossia nuk është ngrirë, por është transferuar në një “tjetër plan”.

“Nuk bëhet fjalë për pezullim ose mbyllje të projektit”, ka thënë Pushilin. Marrëveshja e Minskut u ka dhënë separatistëve “mundësinë që të lëvizin nga opozita e militarizuar në opozitë politike”, ka shtuar ai.

Pushilin po ashtu ka thënë se barra tani bie mbi Kievin, për të respektuar Marrëveshjen e Minskut. Sipas tij, autoritetet në Kiev nuk kanë përmbushur ende plotësisht asnjë nga pikat e marrëveshjes.

Deklaratat e tilla sugjerojnë se rebelët dhe Rusia mund të blejnë kohë dhe të fajësojnë Kievin për dështimin e marrëveshjes dhe pastaj të nisin një ofensivë të re.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG