Ndërlidhjet

Jevtiq premton kthimin e shqiptarëve në Kroin e Vitakut


Mitrovicë

Mitrovicë

Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Dalibor Jevtiq, dhe ministri i Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, kanë arritur marrëveshje për formimin e një grupi punues, për të zgjidhur problemet në lagjen “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, që kanë të bëjnë me kthimin e shqiptarëve të zhvendosur.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, ky grup punues do të përbëhet nga dy përfaqësues të kthyer shqiptarë, banorë të Kroit të Vitakut, pjesëtarë të komunitetit serb, dy kryetarët e komunave, ministrat Mariq dhe Jevtiq, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Ministri Jevtiq citohet të ketë thënë se çështja e kthimit të shqiptarëve në Kroin e Vitakut do të zgjidhet në mënyrë transparente.

“Është bërë një hap i rëndësishëm në qasjen për zgjidhjen e problemit të lagjes Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës. Pas bisedimeve disaorëshe me familjet e zhvendosura të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar, kemi rënë dakord për të formuar një grup punues, i cili do të përbëhet nga të gjitha palët dhe përfaqësuesit e institucioneve relevante të Kosovës, si dhe organizatat ndërkombëtare, ashtu që çështja e kthimit në Kroin e Vitakut të zgjidhet në mënyrë transparente dhe të rezultojë në një zgjidhje afatgjate dhe paqësore”, citohet të ketë thënë ministri Jevtiq.

Në lagjen Kroi i Vitakut ka pasur shpesh incidente pasi serbët e atjeshëm kanë kundërshtuar rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptarë.

XS
SM
MD
LG