Ndërlidhjet

logo-print

Refugjatët nga Ramadi në situatë të rëndë humanitare


Familje irakiane në afërsi të urës Bzajbiz.

Familje irakiane në afërsi të urës Bzajbiz.

Mijëra irakianë që po ikin drejt Bagdadit, pasi grupi militant i Shtetit Islamik (IS) ka marrë nën kontroll qytetin e tyre Ramadi, po përballen me një situatë gjithnjë e më të rëndë humanitare.

Që nga rënia e Ramadit më 17 maj, mbi 40,000 banorë të provincës Anbar janë larguar nga zona, fillimisht në Khalidija e më pastaj në qytetin Amirijat al-Falluxha.

Mbi 8,000 familje janë bllokuar në urën Bzajbiz, e cila lidh Anbarin me kryeqytetin e Irakut. Ura është hapur vetëm për kohë të kufizuar.

Të detyruar të presin në temperatura jashtëzakonisht të larta, refugjatët nuk kanë as ujë të mjaftueshëm.

Mungesa e ndihmave dhe pritejet e gjata kanë bërë që disa persona të zhvendosur të vdesin.

Korrespondenti i Radios Iraku i Lirë në Anbar, Ra’ad al-Khashea, ka bërë të ditur se pesë refugjatë kanë vdekur mëngjesin e 20 majit.

“Një nga viktimat është goditur nga predhat dhe ka vdekur për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor”, ka thënë ai.

Zëvendësguvernatori i Bagdadit, Jassim al-Bkhati, ka thënë se autoritetet po bëjnë maksimumin e tyre për të ndihmuar të zhvendosurit.

Al-Bkhati ka thënë se autoritetet në Bagdad janë duke punuar me agjenci të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillin Norvegjez për Refugjatë dhe kanë arritur “të sigurojnë ushqime dhe ndihma të tjera”.

Agjencitë e ndihmave po ashtu kanë pohuar se kanë siguruar ndihma, por, sipas tyre, janë të nevojshme edhe të tjera.

“Njerëzit na thonë se kanë ecur për tre ose katër ditë në temperatura deri në 40 gradë. Ata janë lodhur dhe dehidruar. Shumica nga ta flejnë në ambient të hapur”, ka thënë Salah Noori, nga Këshilli Norvegjez për Refugjatë, i cili ka shpërndarë ujë, ushqime dhe gjëra higjienike për familjet në të dyja anët e urës Bzajbiz.

“Urgjentisht na duhet të dërgojmë më shumë ndihma në Anbar”, ka shtuar Noori.

Zyrtarët irakianë kanë fajësuar sigurinë e dobët për pritejet e gjata të të zhvendosurve të Anbarit, që duan të kalojnë urën Bzajbiz.

Autoritetet në Bagdad druajnë se militantët e Shtetit Islamik mund të përfitojnë nga kriza, të përzihen me turmat e të zhvendosurve dhe të depërtojnë në kryeqytetin irakian.

Në përpjekje për të adresuar këtë problem, autoritetet kanë vendosur një sistem garantues, në bazë të të cilit, personat e zhvendosur duhet të dëshmojnë se kanë një person në Bagdad që do të garantojë për ta.

“Sistemi garantues ka për qëllim të kufizojë gjakderdhjen dhe të mbrojë jetët e njerëzve”, ka thënë zëvendësguvernatori i Bagdadit, al-Bkhati.

Disa refugjatë kanë raportuar se kanë vështirësi në gjetjen e garantuesve në Bagdad dhe se disa banorë të kryeqytetit u kanë kërkuar para për të vepruar si të tillë.

Të premten, kreu i Këshillit Krahinor të Anbarit, Sabah Karhout, i ka bërë thirrje qeverisë qendrore që të rihapë urën Bzajbiz, duke thënë se “mijëra familje” janë ende duke pritur për të hyrë në Bagdad.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG