Ndërlidhjet

Pasi militantët e Shtetit Islamik kanë pushtuar territore të mëdha të Irakut dhe Sirisë, udhëheqësit politikë nga Uashingtoni në Bagdad dhe në Gadishullin Arabik shprehin frikën se Iraku është në rrezik të shpërbërjes.

“Iraku i vjetër multi-etnik ka marrë fund”, ka thënë Richard Haas, ish-zyrtar i lartë amerikan, për televizionin Bloomberg.

Haas, i cili tani është president i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se është joreale që Iraku të trajtohet si një vend i tërë, pasi ai tashmë është ndarë në pjesën kurde, sunite dhe shiite.

Strategjia nuk po bën punë dhe nuk do të bëjë”, ka thënë Haas, duke shtuar se Uashingtoni, në të ardhmen, duhet të kanalizojë ndihmën ushtarake direkt për forcat lokale, pa shkuar përmes qeverisë qendrore në Bagdad.

Çuditërisht, deklaratat e tij janë mbështetur nga zëvendëskryeministri i Irakut, Rowsch Shaways, politikan kurd.

Shaways ka thënë në Forumin Ekonomik Botëror se Iraku mund të ndahet. Sipas tij, e vetmja mënyrë për Irakun që të shpëtojë si vend i bashkuar është nëse zonat shiite, sunite dhe kurde udhëheqin punët e veta.

Edhe liderë të tjerë irakianë në konferencë janë pajtuar se strategjia aktuale e sulmeve ajrore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, në mbështetje të forcave tokësore irakiane, nuk është duke bërë shumë punë kundër militantëve të Shtetit Islamik.

“Sulmet ajrore nuk e zgjidhin problemin”, ka thënë nënpresidenti Iyad Allawi, duke bërë thirrje për strategji të re.

Zëvendëskryeministri i Irakut, Saleh al-Mutlaq, ka thënë se rënia e qytetit strategjik të Ramadit është një “katastrofë e madhe” dhe ka kërkuar po ashtu plan të ri kundër militantëve.

Por, në një intervistë për agjencinë Associated Press, ai ka pranuar se nuk e di se çfarë duhet bërë dhe se “kapaciteti i irakianëve është shumë i kufizuar”.

Republikanët në Kongres, por edhe në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, kanë bërë thirrje për një angazhim më të madh të trupave amerikane në Irak, gjë që është hedhur poshtë nga kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Senatori John McCain ka thënë se presidenti i SHBA-së, Barack Obama, duhet të dërgojë më shumë forca speciale dhe të organizojë më shumë operacione, të ngjashme me atë të një jave më parë, në të cilin komandot e Shteteve të Bashkuara kanë vrarë një financues të Shtetit Islamik në lindje të Sirisë.

“Ajo për të cilën kemi nevojë, është një strategji gjithëpërfshirëse, një prani më e madhe, por prapë e kufizuar e ushtrisë amerikane dhe një përpjekje e bashkërenduar e Qeverisë së Irakut për të rekrutuar, stërvitur dhe pajisur forca sunite”, ka thënë McCain.

Presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah el-Sissi, ka thënë po ashtu se liderët politikë duhet të kenë një qëndrim më të fuqishëm kundër ekstremizmit islamik, i cili po përhapet në gjithë rajonin.

Përgatit: Valona Tela
XS
SM
MD
LG