Ndërlidhjet

logo-print

Rama: Bashkimi i shqiptarëve nën kulmin e BE-së


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka qëndruar të shtunën në Kosovë, me rastin e ceremonisë së vendosjes së shtatores së heroit Ismail Qemali, në Prishtinë, ka folur për bashkim kulturor, ekonomik dhe shpirtëror të shqiptarëve në Bashkimin Evropian.

Ai ka deklaruar se shqiptarët nuk do të shkelin fjalën që u kanë dhënë amerikanëve dhe evropianëve se bashkimi do të ndodhë në Bashkimin Evropian.

“Ne, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, nuk e kemi ndërmend të shkelim aspak fjalën e lidhur me Amerikën e me Evropën, për ta kryer bashkimin kombëtar si kulmim, përveç se si kulmim të bashkimit shpirtëror, ekonomik dhe shoqëror me Bashkimin Evropian dhe kurrsesi jo, si përçmim, si për anë ndaj fqinjëve, me të cilët duam po ashtu të bashkohemi në çatinë e përbashkët të Evropës”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar se bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në një hapësirë lirie e demokracie, ku askush asnjëherë nuk do të mund të imagjinojë, që siç është shprehur ai, “t’i përpijë” shqiptarët.

Rama ka folur për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe ata që jetojnë në Luginën e Preshevës, vend ky i cili gjendet në jug të Serbisë.

“Kur shqiptarët e Maqedonisë përkushtohen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ata nuk kërkojnë t’i imponojnë një faturë të padrejtë një shteti të vobektë, por rreken, besoj, shpesh edhe kundër të besueshmes, se fjala dhe besa as nuk nëpërkëmben as nuk poshtërohen, as nuk pushkatohen e as nuk treten jo. Kur shqiptarët e Preshevës ngrenë zërin, ata nuk kërkojnë asgjë më shumë se sa çfarë kanë serbët e veriut të Kosovës”, ka theksuar Rama.

Edhe kryetari i Komnunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili takon subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, ka folur për bashkimin e shqiptarëve.

Ai ka theksuar se shqiptarët, që të jenë më të fortë, u duhet bashkimi dhe uniteti.

“Ne duam vetëm bashkimin e shqiptarëve me qëllim që të bëhemi mjaft të fortë për t’i kundërshtuar ata që synojnë të na përpijnë ne”, është shprehur Ahmeti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me rastin e zbulimi të shtatores së heroit Ismail Qemali, që ka shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912, ka thënë se vendosja e shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë është hapi i parë i zbatimit të marrëveshjes ndërmjet komunës së Prishtinës dhe asaj të Vlorës.

Hapi i dytë, sipasAhmetit, është vendosja e shtatores së Hasan Prishtinës në Vlorë.

Shtatorja e Ismail Qemalit është zbuluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetari komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Shtatorja është vendosur para objektit të ri të Qeverisë së Kosovës, aty ku më parë ka qenë Pallati i Medieve.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG