Ndërlidhjet

Eurovizioni “nuk bën dot” pa politikë


Mans Zelmerlow

Mans Zelmerlow

Këngëtari suedez, Mans Zelmerlow, ka fituar finalen e Festivalit Evropian të Këngës, që është zhvilluar të shtunën në mbrëmje në Vjenë.

Zelmerlow, 28 vjeç, këngëtar dhe prezantues televiziv, ka performuar me këngën “Heroes”.

Ai u ka thënë gazetarëve se “nuk ka mundur të besojë në fitore” dhe se ka menduar se Rusia ose Italia do të dalë e para.

“Jam shumë i emocionuar, shumë krenar dhe i lumtur”, ka thënë ai.

Polina Gagarina nga Rusia ka zënë vendin e dytë, pas votimit nga 40 shtete. Gjatë performancës së saj janë dëgjuar disa britma nga audienca, me sa duket të nxitura nga konflikti në Ukrainë dhe politikat anti-homoseksuale të Rusisë.

Conchita Wurst, e cila ka fituar Eurovizionin vitin e kaluar dhe ka qenë prezantuese e garës sivjet, ka thënë se reagimet negative të publikut ndaj Gagarinës janë “të pakuptueshme” dhe se ajo nuk duhet të fajësohet për rregullat në Rusi.

Kënga e Gagarinas “A Million Voices” ka ngjallur polemika në Rusi, me vargjet “Ne jemi njerëzit e botës, të ndryshëm, por të njëjtë”, të cilat janë parë si kundërshtim i qëndrimit anti-homoseksual të Qeverisë ruse, përkatësisht ligjit që ndalon “promovimin e homoseksualitetit”.

Patriarku i Kishës Ortodokse të Rusisë, Kirill, ka thënë para garës se shpreson që Gagarina të humbasë.

Ai ka thënë se Eurovizioni promovon vlera që janë “të pështira” për shpirtin dhe kulturën.

Producenti i Gagarinës, Konstantin Meladze, ka thënë se kënga “A Million Voices” është shkruar nga një ekip ndërkombëtar, që ka përfshirë edhe një tekstshkrues suedez. Ai ka thënë se kënga është “mesazh për botën.

Vendin e tretë në garën e sivjetme e ka zënë Italia, ndërsa të katërtin Belgjika. Australia, e cila ka marrë pjesë për herë të parë në Eurovizion, ka dalë e pesta.

Kjo është fitorja e gjashtë e Suedisë në historinë e Eurovizionit, që do të thotë se është shumë pranë Irlandës, e cila mban rekordin me shtatë fitore.

Rezultati po ashtu do të thotë se festivali i vitit të ardhshëm do të mbahet në Suedi.

Mikpritësja e sivjetme, Austria, së bashku me Gjermaninë, kanë dalë të fundit me zero pikë.

Rreth 200 milionë shikues në gjithë botën mendohet se kanë ndjekur ngjarjen në televizion, e cila për herë të parë është transmetuar drejtpërdrejt edhe në Kinë.

Përgatiti: Valona Tela

Trego komentet

XS
SM
MD
LG