Ndërlidhjet

Përfundon riekzaminimi i të vrarëve, rezultatet në Prokurori


QKUK

QKUK

Në Departamentin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, ka përfunduar autopsia e 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e armatosur në Kumanovë.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se rezultatet do t’i dorëzohen Prokurorisë.

“Kemi kryer punën tonë profesionale. Kemi shënuar çdo gjë, dhe kemi fotografuar, pra kemi kryer punën tonë në çdo milimetër ashtu siç parashihet me standardet operative mjekoligjore. Do t’i përpilojmë raportet tona të autopsisë për secilin dhe do t’ia dorëzojmë Prokurorit të Shtetit, sepse etika profesionale e do kështu”.

“Nga etika profesionale nuk më lejohet të flas më shumë. Prokurori i Shtetit do të njoftohet me hollësitë për çdo gjetje që e kemi pasur në secilin trup”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Edhe Afrim Rexhaj, familjar i të vrarit Arben (Qerim) Rexhaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se tash, si familjarë, janë më të qetë pasi autopsia është bërë nga autoritetet kompetente të Kosovës.

Ne, si familjarë, ndihemi shumë më të lehtësuar, pasi që tash do ta dimë të vërtetën, edhe pse autopsia është kryer edhe në Maqedoni, por atyre nuk iu besojmë. Kur kemi qenë atje për t’i marrë kufomat, mënyra se si janë sjellë ata me ne, ka qenë jonjerëzore. Tash ndihemi më të lehtësuar, sepse autopsinë e kanë bërë organet tona dhe ne iu besojmë atyre”, është shprehur Afrim Rexhaj.

Trupat e pajetë të 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në Kumanovë, në incidentin e 9 dhe 10 majit, janë sjellë në Kosovë, të premten në mëngjes.

Shtetasit e Kosovës të identifikuar si të vrarë në incidentin e Kumanovës janë: Xhafer (Hysen) Zymeraj, Beg (Miftar) Rizaj, Mirsad (Osman) Ndrecaj, Valon (Selim) Kabashi, Turgaj (Mehmet) Gashi, Samid (Bajram) Kastrioti, Hysen (Latif) Rushiti, Fatlum (Kadri) Vishesella dhe Arben (Qerim) Rexhaj.

Përsëritja e ekspertizës mjeko-ligjore nga organet në Kosovë, ishte kërkuar nga vetë familjarët e shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e Kumanovës si dhe nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut.

KMDLNJ-ja dyshon se disa nga nëntë shtetasit kosovarë, të vrarë në konfliktin në Kumanovë, janë vrarë pasi janë dorëzuar.

Për rrjedhojë, kryetari i këtij Këshilli, Behxhet Shala, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ekspertizën e re mjeko-ligjore, për të përcaktuar mënyrën dhe kohën e vrasjes së qytetarëve të Kosovës nga forcat policore të Maqedonisë.

Përleshja e armatosur në Kumanovë la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armatosur.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG