Ndërlidhjet

logo-print

Referendumi historik në Irlandë që zbuti edhe Kishën

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Njëri prej klerikëve më të lartë katolikë të Irlandës ka thënë se Kisha duhet të vetëdijesohet, pas referendumit që u ka dhënë të drejtë martesave midis çifteve të gjinisë së njëjtë.

Martesat e para homoseksuale në Irlandë pritet të bëhen në fillim të vjeshtës.

Rezultatet e referendumit të së premtes janë bërë publike të shtunën në mbrëmje dhe, sipas tyre, 62 për qind e qytetarëve irlandezë kanë votuar për ndryshime kushtetuese që u lejojnë homoseksualëve dhe lesbikeve të martohen.

Kryepeshkopi i Dublinit, Diarmuid Martin, ka thënë se Kisha në Irlandë duhet të lidhet me të rinjtë.

“Ne (Kisha) duhet të ndalojmë dhe të vetëdijesohemi, e jo të lëvizim drejt mohimit të realitetit”, ka thënë ai.

“Unë e vlerësoj atë se si ndjehen burrat homoseksualë dhe gratë lesbike në këtë ditë. Ata e shohin këtë si pasuri të mënyrës që jetojnë. Mendoj se ky është revolucion social”, ka shtuar Martin.

Kryepeshkopi ka thënë se personalisht ka votuar me “jo” dhe ka argumentuar se të drejtat e homoseksualëve duhet të respektohen “pa ndryshimin e përkufizimit të martesës”.

Irlanda është vendi i parë në botë që ka legalizuar martesat midis çifteve të gjinisë së njëjtë me votën e popullit, ndërsa referendumi është mbajtur 22 vjet pasi aktet homoseksuale janë dekriminalizuar në Republikën e Irlandës.

Sot, Irlanda ka bërë histori – është bërë vendi i parë në botë që ka votuar për martesa të barabarta”, ka thënë kryeministri i vendit, Enda Kenny.

Kisha Katolike, megjithatë, ka shumë ndikim në Irlandë dhe votimi me “jo” ka qenë shumë i theksuar në zonat rurale, krahasuar me qytetet.

Në total, 1,201,607 kanë votuar në favor të martesave të homoseksualëve, ndërsa 734,300 kundër.

Republika e Irlandës ka një kushtetutë të shkruar, që mund të ndryshohet vetëm me referendum.

Tani që propozimi është miratuar, martesa midis dy njerëzve të së njëjtës gjini do të ketë statusin e njëjtë në Kushtetutën e Irlandës sikurse edhe martesa midis një burri dhe një gruaje.

Martesat e homoseksualëve tani janë të legalizuara në 20 vende në gjithë botën.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG