Ndërlidhjet

logo-print

Politikat fiskale, tarifat e larta të energjisë elektrike, kamatat e larta për kredi, janë vetëm disa nga problemet e shumta me të cilat përballen përfaqësuesit e komunitetit të prodhimit në Kosovë.

Me gjithë vlerësimet e zyrtarëve qeveritarë, se zhvillimi i kësaj industrie paraqitet promotor i zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, që ndikon në rritjen e të hyrave buxhetore, respektivisht rritjen e fuqisë punëtore, një gjë e tillë në realitet nuk po ndodhë.

Këto shqetësime, përfaqësues të komunitetit të biznesit, i kanë shprehur në një konferencë me titull “Zhvillimi i sektorit të prodhimit - sfidat dhe mundësitë", organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë.

Kryesuesi i komitetit të prodhimit në kuadër të Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Mërgim Prishtina, nga kompania prodhuese e produkteve farmaceutike “Trepharm”, ka thënë se politikat fiskale nuk janë përpiluar në favor të komunitetit të prodhimit duke shtuar se këto politika paraqesin sfidë për këtë sektor.

“Të jesh prodhues në Kosovë është sfidë e veçantë. Unë do të ndalem më shumë tek pjesa e politikës fiskale. Në përgjithësi politikat fiskale nuk janë të përpiluara në interes të industrisë prodhuese, ambient i vështirë për të bërë biznes", ka thënë Prishtina.

Përfaqësuesi i kompanisë “Scampa” që merret më prodhimin e produkteve te plastikës, Kujtim Gjevori, duke përmendur disa nga problemet me të cilat ballafaqohet si kompani, thotë se taksat doganore për lëndën e parë, po pengojnë punën e biznesit vendor.

“Jemi ballafaquar me kamata të larta për kredi të interesit, për importin e pajisjeve është dashur të parapaguhet Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar(TVSH), përveç asaj është dashur të parapaguhet edhe TVSH-ja për lëndën e parë. Kemi pasur probleme shumë edhe më mungesë të energjisë elektrike, ndalesat e pakontrolluara kanë paraqitur probleme rreth fillimit të prodhimit”, ka thënë Gjevori.

Edhe drejtori ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se ambienti i pafavorshëm për industrinë e prodhimit ka ndikuar që kompanitë prodhuese me vështirësi të zhvillojnë kapacitete e tyre prodhuese.

Autoritetet kompetente, ka thënë ai, nuk kanë treguar gatishmëri dhe vullnet për përmirësimin e kushteve të këtij sektori në mënyrë që të jetë konkurrentë me industrinë e prodhimit të vendeve të rajonit.

“Vazhdimisht ankohemi për gjendjen e vështirë në të cilin ndodhen prodhuesit e vendit tonë, bilanc aspak të favorshëm tregtar më të cilin përballet Kosova, eksportet e kufizuara. Por, shumë pak ka veprime konkrete, institucionale për të lehtësuar punën e e këtij sektori", tha Zeka.

Prodhuesit në Kosovë kanë kërkuar nga autoritetet kompetente, përpjekje dhe përqëndrim të vëmendjes më të madhe karshi këtij sektori, në mënyrë që të rritet eksporti i produkteve të prodhuara në Kosovë.

Duke u zhvilluar sektori i prodhimit, sipas tyre, do të krijohen vende të reja pune, do përmirësohet bilanci tregtar i Kosovës, respektivisht do përmirësohet zhvillimi i përgjithshëm ekonomik.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG