Ndërlidhjet

FIFA do të mbetet në status quo

  • Claire Bigg

Filmi dokumentar, “Futbolli në shitje”, akuzon FIFA-n për nivel të madh korrupsioni dhe mitmarrjeje, veçanërisht gjatë procesit të përzgjedhjes së vendeve nikoqire për Kampionatin Botëror të vitit 2018 dhe 2022.

Njëri nga autorët e këtij filmi, gazetari gjerman, Robert Kempe, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kur hulumtohet përzgjedhja e Qatarit dhe Rusisë si vende nikoqire të këtyre dy kampionateve, shihet qartë se ofertat e të dyja vendeve nuk kanë qenë bindëse. Madje, sipas tij, kanë qenë më të dobëtat.

“Kur fillon të hulumtosh, dhe kjo është ajo çfarë kemi bërë me dokumentarin tonë, ka indikacione dhe gjurmë të qarta se janë bërë pagesa nga Qatari, edhe pse përfaqësuesit ekzekutiv të FIFA-s e mohojnë”, thotë zoti Kempe.

Filmi në fakt emëron tre anëtarë bordi të FIFA-s, të cilët dyshohet se kanë marrë secili nga 1.5 milion dollarë amerikanë nga Qatari, në këmbim të votës së tyre. Njëri nga ta dyshohet se ia ka shitur votën edhe Rusisë. Autori i filmit beson se ka pasur edhe raste të tjera, por është më e vështirë që korrupsioni të dëshmohet në Rusi, thotë ai

“Fillimisht, është shumë e vështirë të punosh si gazetar në Rusi. Është edhe më e vështirë të marrësh informacion, të flasësh me njerëzit të cilët kanë qenë të përfshirë në ofertën e Rusisë. Zakonisht ka denoncues të korrupsionit, njerëz të cilët janë të gatshëm të flasin çfarë ka ndodhur, të cilët mund të të japin gjurmë dhe të të udhëzojnë në drejtimin e duhur. Në Rusi ndërkaq, është shumë problem të gjesh njerëz të këtillë”, thotë Kempe.

Dhe pavarësisht këtyre dyshimeve që ka hedhur vetë zoti Kempe, në mesin e disa të tjerëve natyrisht, ai është i bindur se më 29 maj, FIFA do të rizgjedhë Sepp Blatterin, i cili ka 40 vjet që është në kuadër të FIFA-s dhe ka 17 vjet që është president i këtij institucioni.

Dhe pikërisht kjo përvojë, thotë gazetari gjerman, i ka dhënë mundësinë Blatterit ta njoh sistemin nga brenda dhe jashtë.

“Me këtë, në kuptimin e transparencës, asgjë nuk do të ndryshojë. Rizgjedhja e Blatterit nuk do të na mundësojë të mësojmë më shumë për Kampionatin Botëror të 2018-ës dhe 2022-ës.

"Nuk do të ketë ndryshime, asnjë reformë nuk do të ndodhë dhe status quoja do të mbetet ende në fuqi”, thotë zoti Kempe.

FIFA, nga ana e saj, ka hedhur poshtë me vendosmëri akuzat e bëra në filmin dokumentar dhe madje i ka cilësuar autorët e tij si “gënjeshtarë”, për çka zoti Kempe dhe kolegët e tij pohojnë se praktikat e tilla mbrojtëse nga FIFA kanë qenë të pritshme, nisur edhe nga reagimet e mëparshme që kanë pasuar akuzat e denoncuesve të tjerë. (a.v)

XS
SM
MD
LG