Ndërlidhjet

Incidenti i armatosur në Kumanovë, ku u përplasën organet e rendit të Maqedonisë dhe një grup i armatosur, po përdoret nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës për ta dëmtuar imazhin e vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Sipas tyre, në mjaft raste, qarqe të caktuara në vendet e rajonit dhe më gjerë, e kanë quajtur Kosovën, si “eksportuese të konfliktit”, duke përdorur edhe termin “terrorizëm”.

Në incidentin e Kumanovës, mbetën të vrarë 18 persona, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Nga personat e vrarë, 9 prej tyre janë nga Kosova, si dhe të arrestuar 19 të tjerë.

Halil Matoshi, analist i çështjeve politike, thotë se institucionet e Kosovës vazhdojnë të heshtin lidhur me informatat eventuale që mund t’i kenë rreth incidentit në Maqedoni, ashtu sikurse edhe për trajtimin e shtetasve të saj, të vrarë në këtë incident.

“Ata mund të kenë qenë luftëtarë të denjë të luftërave në vitin '99, përkatësisht të vitit 2001 në Maqedoni dhe duhet të respektohen si të tillë, pa marrë parasysh që kanë mundur që këtë herë të bien ndesh me ligjet dhe parimet e moscenueshmërisë së kufijve të shteteve të Ballkanit. Kështu që, secilit duhet dhënë meritat për punët e mira dhe të mbara, por edhe secili duhet të ndëshkohet për punët e mbrapshta”, ka thënë Matoshi.

Njohësi i rrethanave të sigurisë, Nuredin Ibishi, ish pjesëmarrës në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerëson se ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë duhet të ekzistojë aspekti i këmbimit të informacioneve.

Ndryshe, ai e ka vlerësuar si të drejtë angazhimin e institucioneve të Kosovës dhe interesimin e tyre për shtetasit e saj të përfshirë në incidentit në Kumanovë.

Megjithatë, sipas tij, institucionet e Kosovës është dashur të interesohen më shumë për shtetasit e vet që janë të arrestuar dhe janë në paraburgim në Maqedoni.

“Në këtë rast është dashur që institucionet të angazhohen në aspektin e ftesës për mbikëqyrje, sidomos nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, por edhe Human Rrights Watch dhe të tjerëve, që në njëfarë formë ta mbikëqyrin trajtimin në fazën e paraburgimit atje".

"Mirëpo, përgjithësisht, mendoj që institucionet përgjegjëse, në këtë rast, duhet të jenë më transparente dhe të japin informacion, sepse krijon qetësi në opinion, ne këtë situatë”.

Por, analisti Matoshi, thotë se heshtja e institucioneve të Kosovës, ndaj asaj se si duhet qasur dhe trajtuar personat e përfshirë në incidentin në Kumanovë, nënkupton, siç i ka quajtur ai, “brishtësinë” e këtyre institucioneve.

Sipas tij, institucionet “nuk kanë guxim” dhe mbi të gjitha, siç thotë ai, “nuk e kanë kontrollin mbi popullin dhe grupet e ndryshme të interesit, përkatësisht edhe grupet paraushtarake”.

“Definitivisht, një grup me uniforma, me emblema dhe me armatime, nuk ka se si të konsiderohet ndryshe. Por, Isa Mustafa [kryeministër] me Skënder Hysenin [ministër i Brendshëm] nuk i kontrollojnë këto grupe, ish- UÇK-në, veteranët e luftës dhe të tjerë. Këtu është problemi. Këta as nuk kanë guxim që të distancohen, përderisa angazhohen për mbrojtjen e Maqedonisë si shtet unik. Këta, në njëfarë mënyre edhe po e thonë, por me “gjysmë goje’”, thotë Matoshi.

Edhe Ibishi vlerëson se institucionet duhet të jenë më transparente lidhur me rastin, sepse sipas tij, asgjë nuk duhet të jetë, siç e quan ai “top sekret”.

“Unë nuk dua të futem në spekulime se a kanë frikë apo duan të presin informacione shtesë, për ta rrumbullakuar tërësinë. Por, sido që të jetë, edhe për ato informacione që i kanë duhet të jenë më transparente. Nuk ka sot diçka që mund të jetë top sekrete dhe që s’mund të thuhet”.

Ndryshe, Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sallën “1 tetori” në Prishtinë, ka organizuar të martën, homazhe për të vrarët në incidentin e Kumanovës. Qindra qytetarë kanë kaluar pranë 8 arkivoleve që bartnin trupat e pajetë të të vrarëve.

Homazhe kanë bërë edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës. Trupat e pajetë të tetë të vrarëve në incidentin në Kumanovë, janë varrosur sot në Prishtinë, në Varrezat e Dëshmorëve. Varrimi i tyre pason atë të Beg Rizajt, gjithashtu i vrarë, i cili u varros të dielën.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG