Ndërlidhjet

Thaçi: Nuk jemi të interesuar për lëvizje të kufijve


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se dhuna në Kumanovë të Maqedonisë ka qenë destruktive dhe se Qeveria e Kosovës e ka dënuar atë, duke kërkuar edhe hetim ndërkombëtar.

Thaçi ka folur të martën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar raporti i rregullt tremujor i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, në lidhje me zhvillimet në Kosovë.

Thaçi ka thënë se Kosova nuk përkrah asnjë tendencë për destabilizimin e rajonit të Maqedonisë dhe se nuk është e interesuar për lëvizje të kufijve.

Në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj, ka pasur përleshje të armatosur midis forcave policore dhe një grupi të armatosur, në përbërje të të cilit kanë qenë disa shtetas kosovarë – nëntë prej tyre kanë humbur jetën dhe 21 janë arrestuar.

Duke iu adresuar Këshillit të Sigurimit, Thaçi është ndalur edhe te krijimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë.

Kërkesa për themelimin e saj ka pasuar hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për përfshirjen e disa ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës.

Thaçi ka thënë se këto akuza janë të pabaza, porse Kosova do të angazhohet për themelimin e këtij institucioni, me qëllim “pastrimin e luftës”.

Ai është zotuar se nuk do të lejojë që Gjykata Speciale të përdoret për të “rimodeluar historinë”. Në këtë drejtim, Thaçi ka thënë se askush në Ballkan nuk do të harrojë terrorin e regjimit të Millosheviqit.

Thaçi, për migrimin e kosovarëve në vendet e Evropës, një pjesë të fajit ia ka hedhur Beogradit, duke thënë se autoritetet serbe kanë dhënë mito për ta ndihmuar këtë dukuri.

Ai ka lavdëruar marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe dhe kthimin e këtij subjekti politik në institucionet e vendit.

Thaçi ka bërë edhe një pasqyrë të të arriturave në Kosovë, ndërsa homologu i tij serb, Ivica Daçiq, i cili po ashtu i është adresuar Këshillit të Sigurimit, ka thënë se për Qeverinë e tij është çështje me prioritet krijimi i Asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës.

Daçiq ka thënë se Serbia është plotësisht e përkushtuar në dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai po ashtu ka thënë se Serbia pret që Kosova të formojë sa më parë Gjykatën Speciale për Krime Lufte.

Sipas Daçiqit, procesi i pajtimit të ndërjesllë nuk mund të jetë i plotë pa ndjekjen penale të anëtarëve të ish-UÇK-së, “përgjegjës për persekutimin e serbëve”.

Në raportin e sekretarit Ban, çështjta e Gjykatës Speciale përshkruhet si “thelbësore” për të ardhmen e Kosovës, ndërsa mirëpriten veprimet e autoriteteve kosovare për ngritjen e saj.

  • 16x9 Image

    Valona Tela

    Si përgjegjëse për web-faqen e Radios Evropa e Lirë, ekipit në Prishtinë i është bashkuar në vitin 2007. Nga viti 2011 është redaktore emisionesh në selinë qendrore në Pragë.

XS
SM
MD
LG