Ndërlidhjet

Cilësia e barnave, e kënaqshme


Cilësia e barnave në Kosovë thuhet të jetë e mirë. Pranvera Behrami, zyrtare për informim në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicinale, ka bërë të ditur se barnave në vend u bëhen analiza përkatëse para se ato të qarkullojnë në tregun farmaceutik.

"Sa i takon cilësisë së barnave, ne me kompetencë themi se janë të një cilësie të lartë, pasi që në vazhdimësi u bëhen analizat të gjitha atyre barnave që paisen me autorizim marketing".

Ndryshe, Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, me një udhëzim administrativ ka lejuar që në tregun farmaceutik të ketë mjaftueshëm barna të regjistruara, krahasuar me vitet paraprake.

Zonja Behrami jep hollësi rreth asaj se në çfarë mënyre është rritur numri i barnave të regjistruara në treg.

"Udhëzimi admistrativ 2/ 2014, ka rregulluar procedurën e importimit të produkteve medicinale pa paralele të regjsitruar. Kjo do të thotë se që nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi për lehtësimin e procedurave të regjsitrimit dhe importit të barnave, nga janari deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, janë importuar mbi 100 mijë paketime të llojeve të ndryshme të produkteve, që tregu të përmbush nevojat e qytetarëve me barna".

Por, farmacistët në vend, thonë se mungesa e barnave vazhdon të jetë evidente në tregun farmaceutik në Kosovë.

"Një pjesë me furnizim me barna është plotësuar me udhëzimin e ri administrativ, por tregu farmaceutik ka nevojë ende për barna. Përveq udhëzimit administrativ që ka lejuar importin e barnave, është lejuar edhe leja e terapisë individuale dhe kjo ka plotësuar shumë nevojën e qytetarëve. Por, edhe një pjesë e madhe është e zbrazët. Kosova ka ende shume nevojë për barna", ka deklaruar Shkumbin Jusufi, farmacist.

Kryetari i Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, Agim Caka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sa i përket cilësisë së barnave është në nivel, dhe se sipas tij tregu farmaceutik po stabilizohet.

"Sipas shoqatës sonë, dhe njerëzve në teren, nuk ka ndonjë vërejtje për cilësinë e barnave nga ana e qytetarëve ,që janë në tregun farmaceutik. Kur ilaqet ndodhen në qarkullim dhe kanë marrë licencën e qarkullimit nga AKPM, sipas shoqatës sonë konisderojmë se çdo gjë është në rregull".

"Ndërkaq, barnat që futen në mënyrë ilegale, nuk kanë siguri. Çdo gjë që nuk kalon në rrugë ligjore nuk ka siguri. Por, udhëzimi adminsitrativ në fuqi po merret me barnat që kanë munguar, tash janë plotësuar me numër. Unë mendoj se tregu faramceutik po stabilizohet", ka theksuar Caka.

Sidoqoftë, në Kosovë janë gjithsej 530 barnatore të licensuara, derisa për këtë territor janë gjithsej 7 inspektorë.

Përfaqësues nga Agjencia Kosovare për Produkte Medicinale, kanë deklaruar se edhe përkundër asaj se inspektimet në teren janë shtuar në masë të madhe, mungesa e inspektorëve është evidente.

Ndryshe gjatë vitit 2014, janë ndëshkuar 86 barnatore, ku janë gjetur qoftë barna pa banderola, apo është dyshuar në cilësinë e tyre.

XS
SM
MD
LG