Ndërlidhjet

Hetime të dyfishta për korrupsion në FIFA

  • RFE /RL

Autoritetet zvicerane kanë njoftuar se kanë nisur procedime penale kundër individëve të dyshuar për keqmenaxhim dhe pastrim parash në ofertat për Kupën e Botës më 2018 dhe 2022.

Zyra e prokurorit të përgjithshëm në Zvicër, po ashtu ka thënë se ka konfiskuar të dhëna dhe dokumente në sistemet kompjuterike të FIFA-s.

Zëdhënësi i FIFA-s, Walter de Gregorio, ka dalë në konferencë për media, por pa dhënë shumë detaje.

“Nuk mund të konfirmoj emrat e zyrtarëve të FIFA-s që janë arrestuar, nuk mund të konfirmoj se sa njerëz janë arrestuar dhe sa njerëz po hetohen”, ka thënë Gregorio.

Megjithatë, ai ka konfirmuar se presidenti i Federatës, Sepp Blatter, dhe sekretari i përgjithshëm, Jerome Valcke, nuk janë të përfshirë në hetime.

De Gregorio ka thënë se Kongresi i FIFA-s dhe votimi për presidentin e ri do të mbahen më 29 maj, ashtu siç ka qenë e planifikuar, dhe ka përjashtuar mundësinë e rivotimit për nikoqirët e Kampionatit 2018 dhe 2022.

“Do të luhet në Rusi dhe Katar. Ky është fakt sot dhe nuk do të bëj spekulime se çfarë do të ndodhë nesër, pasnesër. Kjo është ajo që mund të them, as më shumë, as më pak”, është shprehur De Gregorio.

Presidenti aktual i FIFA-s, Sepp Blater, do të garojë për mandatin e pestë. De Gregorio u ka thënë gazetarëve se Blatter është i qetë.

“Ai nuk është duke vallëzuar në zyrë. Është shumë i qetë, po sheh se çfarë po ndodh dhe është shumë bashkëpunues me secilin”, ka thënë De Gregorio.

Në një tjetër zhvillim, Zyra Federale e Drejtësisë në Zvicër ka thënë më herët se shtatë zyrtarë të futbollit janë arrestuar, me kërkesë të autoriteteve amerikane, në prag të Kongresit të FIFA-s në Cyrih.

Jeffrey Webb, nënpresidenti aktual i FIFA-s, është anëtari më i lartë në mesin e të arrestuarve në Cyrih.

Në Uashington, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka thënë se ka paditur nëntë zyrtarë të FIFA-s dhe pesë drejtues për konspiracion dhe korrupsion.

Kandidati i vetëm që do të sfidojë Blatterin në zgjedhje, princi i Jordanisë Ali bin-al-Hussein, ka thnënë se ka qenë një ditë e keqe për futbollin, por nuk ka komentuar tutje.

Prokurorët zviceranë kanë thënë se hetimi i tyre është i ndarë nga ai i Shteteve të Bashkuara, por kanë shtuar se autoritetet e të dyja palëve janë duke punuar së bashku.

Edhe autoritetet zvicerane, edhe ato amerikane të drejtësisë kanë thënë se zyrtarët e akuzuar dyshohet se kanë marrë 150 milionë dollarë ryshfet nga fillimi i viteve 1990, për turnetë e futbollit në SHBA dhe Amerikën Latine.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG