Ndërlidhjet

logo-print

Frikë dhe paaftësi për t’u pozicionuar për rastin e Kumanovës


Varrimi i të vrarëve.

Varrimi i të vrarëve.

Institucionet e Kosovës, vazhdojnë të mos deklarohen në lidhje me përfshirjen e shtetasve të Kosovës në incidentin e Kumanovës në Maqedoni që la pas vetes 18 të vdekur.

Në këtë incident, nga personat e vrarë, 9 prej tyre janë nga Kosova si dhe 19 të tjerë janë të arrestuar. Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë prononcime nga Zyra e Presidentes dhe e Kryeministrit të Kosovës, por përfaqësuesit e të dyja institucioneve nuk janë deklaruar.

Ndërkohë, analistët politik e cilësojnë këtë heshtje të institucioneve karshi përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në një përplasje të armatosur në një vend fqinj, si tregues të paaftësisë dhe mungesës së guximit për të reaguar drejt në raport me ngjarjet e tilla të cilat reflektojnë në sigurinë rajonale.

Analisti Belul Beqaj, thotë se reagimi i zbehtë i institucioneve të Kosovës për këtë rast dëshmon të kundërtën e asaj që deklaron lidershipi i Kosovws se “vendi është shndërruar në faktor të stabilitetit në rajon”.

"Megjithatë, Kosova nuk është ashtu siç po deklarojnë pushtetarët... se është shndërruar në një vend të stabilitetit në rajon. Përkundrazi, vet ky fakt tregoi të kundërtën se Kosova në një mënyrë përmes individëve të caktuar, pikërisht për shkak të mosefikasitetit të pushtetit në mënyrën e duhur, është një burim i destabilitetit në rajon", ka thënë Beqaj për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, mungesa e reagimit adekuat të institucioneve, sipas analistit Belul Beqaj, nuk dëshmon edhe marrjen e përgjegjësisë për incidentin në Kumanovë.

Kjo sipas tij, mund të ndërlidhet më shumë me pasojat që mund të ketë një reagim më i ashpër për disa individë të caktuar që bartin poste politike në Kosovë.

"Nuk mund të them që heshtja është pranim i përgjegjësisë për faktin se nuk ka pasur një gjykim të asaj çfarë ka ndodhur. Por, gjithsesi kjo tregon se kjo është një frikë se nëse eventualisht bëhet një reagim zyrtar, të mos bartet edhe formalisht përgjegjësia në pushtetin dhe njerëzit të cilët janë apo ishin të ndërlidhur në forma të ndryshme me disa nga pjesëtarët, të cilët ishin të përfshirë në konflikt', ka theksuar Beqaj.

Analisti tjetër, Dukagjin Gorani, vlerëson se institucionet nuk kanë treguar guxim dhe aftësi për t'u ballafaquar me këso sfida të rënda, por të cilat janë pjesë e realitetit në Kosovë.

"Kjo strukturë qeveritare dhe ky pushtet, absolutisht nuk ka kurrfarë aftësie që të ballafaqohet me të. Heshtja e cila tash e sa ditë e pllakos këtë vend e cila vetëm sa e shpalos krejt këtë paaftësi edhe për një frikë shumë të madhe të pushtetit kosovar karshi situatave reale shoqërore", ka vlerësuar Gorani në prononcimin për Radion Evropa e Lirë.

Tragjedia e Kumanovës, sipas Dukagjin Goranit, duhet të hap një debat në Kosovë nëse pushteti dhe politika aktuale janë vetëm një dekor dhe nuk shërbejnë për zgjidhjen e asnjë problemi për zhvillimet qenësore në shoqëri.

Sipas tij, në institucione ka frikë të dilet me një qëndrim rreth atyre pjesëtarëve që u përfshinë në incidentin e Kumanovës, duke pasur parasysh se nga një pjesë e shoqërisë ata shihen edhe si heronj, kurse nga pjesa tjetër si një grup shumë i rrezikshëm.

"Nuk është i konstruktuar ky pushtet që të ballafaqohet me situata reale. Konkretisht, çka të bëjë dhe si të pozicionohet shoqëria kosovare karshi raporteve kontradiktore mes vete".

"Në njërën anë këta njerëz kuptohen si heronj të cilët kanë shkuar të luftojnë në një shtet i cili është i pranuar, është i huaj, është shtet fqinj dhe i cili na ka njohur edhe neve. E në anën tjetër ekzistojnë raporte të cilat këtë grup e definojnë si të rrezikshëm dhe me pikëpamje ekstreme", ka thënë Gorani.

Në deklarimet e mëhershme, kryesisht përmes komunikatave me shkrim, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Isa Mustafa, kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për zhvillimet në Kumanovë.

Jahjaga dhe Mustafa kishin dënuar çfarëdo përfshirje të shtetasve të Republikës së Kosovës në incidente në Republikën e Maqedonisë, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe shteteve fqinje, duke vënë në sprovë paqen dhe sigurinë dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG