Zyrtarët në Washington janë duke diskutuar se a duhet të lejojnë që në metrotë e qytetit të vendoset karikatura fituese, e cila portretizon Profetin Muhamed.
Iniciativa Amerikane për Mbrojtjen e Lirisë, grup ky që ka përkrahur garën që u mbajt në Teksas më herët gjatë këtij muaji, e cila provokoi edhe sulmin vdekjeprurës nga militantët myslimanë, ia ka dorëzuar reklamën për shqyrtim autoriteteve të metrosë.
Reklama u bën thirrje amerikanëve që të mbështesin lirinë e fjalës, dhe aty shfaqet figura e Profetit Muhamed.
Paraqitja e figurës së Profetit në fenë islame konsiderohet si ofenduese nga shumë myslimanë.
“Asgjë në këtë karikaturë nuk provokon dhunë”, ka thënë themeluesja e grupit për lirinë e fjalës, Pamela Geller.
“Ajo është e ndërtuar në kulturën tradicionale të satirës amerikane”, ka shtuar ajo.
Grupi ka vendosur reklama kundërthënëse nëpër metrotë dhe autobusët e Chicagos, Philadelphias dhe San Franciscos. Gjithashtu edhe në Washington ata kishin vendosur një reklamë në vitin 2012.
Ndërkaq, autoritetet e transportit në New York, në muajin prill kanë ndaluar vendosjen e reklamave politike. Sidoqoftë, ata kishin humbur betejën mbi këtë çështje, ndaj Grupit në fjalë.