Ndërlidhjet

Duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Nga hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë, e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Ndryshe nga data 22 maj e vitit 2013, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi.

Vullneti i qytetarëve për ta zbatuar këtë ligj nuk ka munguar. Por, problemet me shkeljen e ligjit për kontrollin e duhanit kanë filluar pas një periudhe.

Faik Hoti, Drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ligji për kontrollin e duhanit po zbatohet pjesërisht.

"Kosova ka bërë dy vjet që ka ligjin për kontrollin e duhanit, dhe duhet ngritet ndërgjegjësimi i qytetarëve për zbatimin e tij. Ne po zhvillojmë fushata për ngritje të vetëdijes. Është mbajtur edhe takimi i këshillit ndërministror dhe ka përcaktuar detyrat për subjektet e ndryshme që pavarësisht vështirësive që ka ky ligj, Kosova të jetë një prej vendeve që përpos që ka ligj edhe të gjej zbatim".

Sipas Inspektoratit Sanitar që mbikëqyr zbatimin e Ligjit për duhanin, është raportuar se prej hyrjes në fuqi të ligjit e deri në muajin maj të këtij viti, janë kryer 5681 inspektime, duke dërguar në gjykata 346 fletëparaqitje ndaj shkelësve për persona juridik dhe persona përgjegjës dhe 51 fletëparaqitje për persona fizik, ndërkohë që ka shqyrtuar 812 ankesa.

Ata thonë se ky inspektorat ka kryer 706 inspektime duke shqiptuar edhe 21 gjoba.

Gjithashtu edhe Policia e Kosovës raportoi se u ka asistuar inspektorateve në 65 raste dhe ka shqiptuar 133 gjoba mandatore.

Arben Lila, zyrtarë në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), qendër kjo që merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit kundër duhanit, ka bërë të ditur se ligji për kontrollin e duhanit në Kosovë nuk po respektohet në masë të duhur.

"Ne jemi për zbatimin efikas të ligjit për kontrollin e duhanit, duke parë se ky ligj ka rënë së zbatuari për shumë arsye, qoftë për vakumin institucional gjashtë mujor që ka pasur Kosova, apo edhe mungesës së vullnetit të njerëzve".

"KADC ka bërë monitorimin e dytë në prill të këtij viti dhe rezultatet tregojnë se në sektorin e gastronomisë kemi pasur shkelje të ligjit, si dhe janë krijuar tenda ku është tymosur, derisa ato tenda në kuadër të kafiterive ekanë qenë plotësisht të mbyllura dhe është shkelur ligji".

Ndryshe më 31 maj shënohet dita ndërkombëtare kundër duhanit.

Në këtë ditë, Ministria e Shëndetësisë, së bashku me zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë si dhe Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë, do të ftojnë qytetarët për ecje simbolike me moton “E dua Kosovën pa tym duhani”.

Sidoqoftë gjatë një viti, në Kosovë hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan.

Në bazë të këtyre statistikave, del se qytetarët e Kosovës harxhojnë rreth 150 deri në 200 milionë euro për një vit, për konsum të duhanit.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG