Ndërlidhjet

A mund të ndalohet përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve?


Ilustrim

Ilustrim

Rezistenca ndaj antibiotikëve konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, antibiotikët për 60 vjet me radhë kanë qenë parandaluesit kryesorë të sëmundjeve të ndryshme.

Megjithatë, shumë antibiotikë tashmë kanë humbur efikasitetin dhe ka lindur nevoja e kërkimeve të reja alternative për zëvendësimin e tyre.

Mikrobiologu Lul Raka, njëherazi koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ka thënë se Kosova zë vendin e parë në Evropë në përdorimin e antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit (grup antibiotikësh).

“Përdorimi i antibiotikëve është mjaft i përhapur. Ne gjatë vitit të kaluar në kuadër të një grupi ndër-sektorial që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, i kemi mbledhë të dhënat për përshkrimin dhe përdorimin e tyre si në kujdesin parësor apo edhe në të gjitha institucionet tjera shëndetësore”.

“Disa të dhëna kanë dalë si të papranueshme nga këndvështrimi mjekësor për shkak të përshkrimit enorm të antibiotikëve. Kjo ka qenë brengë për ne dhe ministria ka reaguar në formimin e një komisioni që do të merret me restrikcionin e përshkrimit të antibiotikëve”, tha Raka.

Zoti Raka flet edhe për masat që do t’i ndërmarrë ky komision, në mënyrë që të ndalohet përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve.

“Komisioni është në punë e sipër dhe shumë shpejtë do të ketë propozim që antibiotiku të ndalohet të shkruhet në kujdesin parësor. Gjithashtu edhe në spitale do të ketë disa ndalesa dhe duhet shkruhen në raste të veçanta në antibiotikë të caktuar. Komisioni prej tre mjekëve do të vendos të shkruajë antibiotikun e vijës së fundit të antibiotikëve”, theksoi ai.

Ndërsa në barnatoret e Kosovës, antibiotiku vazhdon të shitet pa recetën e mjekut. Edhe pse Kosova e ka një ligj që e ndalon shitjen e ilaçeve pa recetë, ligji vazhdon të mos respektohet.

Zyrtarë në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale kanë bërë të ditur se futja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe rimbursimit të barnave, do ta bëjë obligativ respektimin e shitjes së barnave me recetë, sepse pacientët nuk mund t’i blejnë barnat pa e pasur sistemin e referimit komplet.

Arianit Jakupi, ushtrues detyre i kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale jep hollësi të tjera.

“Mos fillimi i implementimit të ligjit për sigurime shëndetësore ka reflektuar me vakuumin institucional për të cilën që ne si AKPM presim që do të vendoset një rregull, përveç në mënyrën e përshkrimit dhe sistemit të referimit , edhe në vendosjen e sistemit të riimbursimit dhe të çmimoreve të barnave. Dhe gjitha këto do të ndikojnë që ne të kemi një kontroll më të mirë në përshkrimin dhe përdorimin e antibiotikëve”, u shpreh Jakupi.

Sidoqoftë, sipas një hulumtimi të bërë mes spitaleve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Kosovës, ka rezultuar senë spitalet pediatrie ku trajtohen fëmijët e moshës nën 18 vjet, 36 për qind e fëmijëve marrin antibiotikë në vendet e BE-së, derisa në Kosovë kjo përqindje arrin në 67 për qind, kanë deklaruar zyrtarë shëndetësorë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG