Ndërlidhjet

logo-print

Konflikti i ngrirë në Transdniester rrezikon të shkrihet

  • RFE /RL

Rajoni Transdniester, Foto nga arkivi

Rajoni Transdniester, Foto nga arkivi

Votimi i këtij muaji në Parlamentin e Ukrainës për të ndërprerë gati të gjitha format e bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, kërcënon të trazojë paqen e brishtë në rajonin separatist të Moldavisë, Transdniester.

Më 21 maj, ligjvënësit ukrainas kanë shfuqizuar disa marrëveshje dypalëshe me Rusinë, përfshirë atë që i lejon Moskës të dërgojë forca përmes tokës së Ukrainës në Transdniester.

William Hill, ish-udhëheqës i misionit të OSBE-së në Moldavi dhe tani studiues në Qendrën për Hulumtime Wilson në SHBA, thotë se është hera e parë që Ukraina shfuqizon zyrtarisht marrëveshjen e saj me ushtarët rusë dhe se ky hap mund të jetë “serioz”.

“Nuk është provuar kurrë që nga vitit 1992, kur edhe është nënshkruar marrëveshja. Andaj, po hyjmë në një territor të panjohur dhe shumë shpejt në një situatë, ku nuk e dimë çfarë të presim”, thotë Hill.

Vendimi i Parlamentit ukrainas, në mënyrë efektive, i shkurton qasjen Rusisë te 1,500 ushtarët e saj që ka në Transdniester, një copë e tokës që kufizohet me Ukrainën, por jo me Rusinë.

Dislokimi rus atje është i ndarë në një forcë paqeruajtëse prej 380 trupash, të mandatuar ndërkombëtarisht, ndërsa pjesa tjetër janë ushtarë të rregullt, pjesë e Gardës së 14 të ushtrisë ruse.

Rusia mbetet aleati më i madh – dhe praktikisht i vetmi – i Transdniesterit, prejse Moska ka mbështetur separatistët në konfliktin e vitit 1992, i cili ka përfunduar me autonominë de facto të rajonit.

Dy dekada përpjekje ndërkombëtare për të ndërmjetësuar fundin e konfliktit kryesisht kanë dështuar, edhe pse paqja e brishtë vazhdon të ruhet dhe marrëdhëniet midis rajonit dhe kryeqytetit të Moldavisë, Kishinev, funksionojnë disi.

Marrëdhëniet midis Kishinevit dhe Moskës, në anën tjetër, mbesin të tensionuara keq, për shkak të përpjekjeve të Moldavisë për të renditur veten më pranë Bashkimit Evropian.

Deri më tani, reagimi i Rusisë ndaj vendimit të Parlamentit të Ukrainës ka qenë i heshtur, edhe pse është vështirë të dihet se çfarë po ndodh prapa skenave.

Një pikë e qasjes për ushtarët rusë që udhëtojnë në Transdniester, mbetet aeroporti ndërkombëtar i Kishinevit dhe udhëtimi i shkurtër në rrugë tokësore prej atje në kryeqytetin e Transdniesterit, Tiraspol.

Me vite të tëra, Moldavia ka lejuar ushtarët rusë të përdorin aeroportin e saj, edhe pse gjatë muajve të fundit Kishinevi ka bllokuar dhe dëbuar kohë pas kohe ushtarë që nuk janë identifikuar qartë si paqeruajtës ndërkombëtarë.

Ion Leahu, ish-anëtar i Komisionit të Moldavisë për Kontroll të Përbashkët, thotë se vendimi i fundit i Ukrainës e lë Rusinë me dy opsione: ose të tërheqë trupat nga Transdniesteri, me një ndryshim korrespondues në përbërjen e forcës ndërkombëtare paqeruajtëse atje, ose të negociojë një korridor të veçantë ajror me Kishinevin. Por, sipas ij, opsioni i fundit do të jetë i vështirë në praktikë.

Përgatiti: Valona Tela

Trego komentet

XS
SM
MD
LG