Ndërlidhjet

Shkup: Opsionet e mundshme për kapërcimin e krizës politike


Ilustrim

Ilustrim

Shumë organizata joqeveritare, të cilat kryesohen nga Instituti Demokratik, Societes Civiles, nga partitë politike, presidenti i shtetit dhe faktori ndërkombëtar, kanë kërkuar që edhe sektori civil të inkuadrohet në bisedimet, të cilat zhvillohen mes katër partive kryesore politike në vend, VMRO DPMNE, Bashkimi Demokratik për Integrim, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe Partia Demokratike Shqiptare. Të pranishëm në bisedime do të jenë edhe ambasadori i SHBA dhe ai i BE-së, për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

“Në rrethana kur kemi të bëjmë me një krizë të thellë politike, sektori civil i përfaqësuar përmes iniciativave të qytetarëve dhe organizatat e ndryshme joqeveritare mund të luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e zgjidhjes së krizës së krijuar politike”.

Problemi qëndron në atë se ne nuk e dimë se për çka saktësisht bisedohet në këtë moment. Pse është e rëndësishme që sektori civil të jetë i pranishëm në këto bisedime, në fazën e parë si vëzhguese, dhe më pas si pjesëmarrës kur këto bisedime për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, të hyjnë në fazën përfundimtare, sepse ata që në formë të drejtpërdrejtë ose indirekte kontribuuan në krijimin e krizës politike, nuk mund të ofrojnë një zgjidhje të shëndoshë dhe afatgjate”, thekson Misha Popoviq, nga Instituti Demokratik, Societes Civiles.

Edhe Besim Hoda, përfaqësues i sektorit civil, konsideron se prania e organizatave joqeveritare, qoftë dhe vetëm si vëzhguese të procesit për zgjidhjen e krizës politike, do të kontribuojë për bisedime cilësore dhe njëherësh, siç shprehet ai, “do të pamundësojë pazaret ndërmjet vetë partive politike, të cilat parësore kanë interesat e ngushta të partisë apo individëve të caktuar”.

“Sektori civil po të jetë prezent në kuadër të këtyre bisedimeve, qoftë dhe si vëzhgues, do të krijonte një kontakt të drejtpërdrejtë dhe më të sinqertë me popullatën në përgjithësi, për të sqaruar jo aq sa bisedimet, por bizneset që bëjnë mes vete partitë politike, përkatësisht liderët e tyre për të ruajtur pozicionet”.

“Është e vërtetë se njerëzit, të cilët sollën situatën në këtë krizë të thellë politike, kanë dëshmuar se ata nuk e kanë hallin e popullit, por kanë hallin e tyre personal dhe të grupeve të interesit. Prandaj, besoj se shoqëria civile si një sektor i painvolvuar në këtë krim që kanë bërë liderët e partive politike disa me veprime konkrete dhe disa me mospunën e tyre, OJQ-të të paktën do të mund të jepnin një informacion të saktë se çka bisedohet ose çka gatuhet në këto bisedime për të ardhmen e tyre”, konsideron Hoda.

Nga ana tjetër, Gordana Popsimonova, ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike, thotë se nga aktorët politikë, të cilët janë pjesë e krijimit të krizës politike, është shumë vështirë të pritet që të njëjtit të jenë pjesë e zgjidhjes.

Sipas saj, zgjidhja më e mirë për të dalë Maqedonia nga kriza politike do të ishte formimi i një qeverie ekspertësh, me ç`rast do të krijohej një hapësirë e mjaftueshme kohore për riformatimin e subjekteve politike, ngase partitë politike në Maqedoni kanë nevojë për një, siç shprehet ajo, vetëpastrim, duke filluar nga koka.

“Për mua, çështje kyçe paraqet ajo se si do të jetë ajo qeveri kalimtare. Ngase nëse mbetet qëndrimi se qeveria e ardhshme kalimtare duhet të përbëhet nga aktorët e partive aktuale, pavarësisht nëse bëhet fjalë nga ato të cilat janë në pushtet ose në opozitë, madje edhe nëse bëhet fjalë për një qeveri të ashtuquajtur për shpëtim kombëtar, sërish do të mbetet i përjashtuar sektori civil, dhe ajo që është më e rëndësishmja në këto rrethana druaj se nuk do të ndryshojë modeli zgjedhor, që në esencë është ai që gjeneron krizë politike në Maqedoni”, thekson Popsimonova, duke shtuar se modeli aktual zgjedhor favorizon partitë më të mëdha.

Pra, duhet të krijohen kushte për zgjedhje fer dhe demokratike, të cilat do të organizoheshin sipas modelit, ku Maqedonia do të ishte një njësi zgjedhore, me lista të hapura zgjedhore, pa një prag minimal të votave të grumbulluara. E, kjo paraqet garanci që partitë më të mëdha të mos mund të sigurojnë pushtet absolut siç është rasti aktualisht në Maqedoni”, vlerëson Popsimonova.

Ndryshe, brenda javës së ardhshme pritet të realizohet takimi i katërt me radhë ndërmjet liderëve të katër partive kryesore në Maqedoni, për gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë vendi nga kriza e thellë politike, në të cilën ndodhet.

Kërkesa thelbësore që ka paraqitur lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev është dorëheqja e Qeverisë dhe ajo e vetë kryeministrit Nikolla Gruevski, për shkak të përfshirjes, siç ka pretendon opozita, të kreut të qeverisë në më shumë afera korruptive, të cilat dolën në pah përmes bisedave të përgjuara të prezantuara nga opozita.

Por, për kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dorëheqja e tij dhe formimi i një qeverie kalimtare janë të papranueshme, sepse siç është shprehur ai, mandatin e ka fituar në zgjedhje nga populli dhe vetëm në këtë formë mund ta dorëzojë.

XS
SM
MD
LG