Ndërlidhjet

VOX

VOX: Kthimi i migrantëve, shuan dëshirën për migrim


Migrantë nga Kosova, që po largoheshin fillimvitin e 2015-s

Migrantë nga Kosova, që po largoheshin fillimvitin e 2015-s

Riatdhesimi i qytetarëve të Kosovës, të cilët në mënyrë të paligjshme kishin braktisur Republikën e Kosovës, për të kaluar në vendet e Bashkimit Evropian, siç duket ka zbehur, madje edhe shuar dëshirën e shumë të rinjve që të migrojnë në vendet perëndimore.

Për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa të rinj thonë se kanë pasur dëshirë të migrojnë, por tashmë, siç shprehen ata, kthimi i personave është dëshmia më e mirë se vendet e Evropës nuk e njohin të drejtën e azilit për qytetarët e Kosovës.

Elvis Maliqi, student në Fakultetin e Juridik, në Universitetin e Prishtinës, tregon se gjithmonë ka pasur dëshirë të shkojë në ndonjë vend të Bashkimit Evropian.

Por, kjo dëshirë thotë se është shuar deri te realizimi i liberalizimit të vizave.

Po kam pasur dëshirë ta braktisi Kosovën, por pas gjithë asaj rruge, prapë na kthejnë në Kosovë. Vendet e BE-se nuk po pranojnë azilantë. Qeverisja e keqe, menaxhimi jo i duhur i vendit, kanë qenë arsyet kryesore që dëshiroja të migroja. Rinia ka pretenduar për më shumë, por kot. Tash po presim që do të bëhet mirë edhe në Kosovë”, thotë Elvisi.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014 dhe në fillim të këtij viti, mijëra qytetarë, në mënyrë të paligjshme, kanë braktisur Republikën e Kosovës për shkak të, siç thuhet, “një perspektive më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian", edhe pse shtetet anëtare të BE-së, vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen se qytetarëve të Kosovës nuk do t’u njihet e drejta e azilit.

Autoritetet kompetente në Prishtinë, për Radion Evropa e Lirë, kanë treguar se që nga janari e deri më tash janë kthyer mbi 7000 qytetarë, të cilët muajve të fundit kanë migruar në mënyrë ilegale.

Kurse, sipas paralajmërimeve, fluksi tjetër prej 110 qytetarëve nga Gjermania pritet të arrijë më 2 qershor.

Mbi 60 për qind e qytetarëve që kanë migruar në mënyrë vullnetare kërkojnë kthimin në Kosovë.

Ky fakt ka bërë që Dona nga Prishtina të mundohet në mënyrë të rregullt të kalojë në ndonjë vend të Bashkimit Evropian. Por, në mënyrë ilegale assesi jo, thotë ajo:

“Po, do të mundohem ta lëshoj Kosovën për një jetë dhe të ardhme më të mirë, këtu nuk ka perspektivë. Unë do të largohem nga Kosova me dokumente të rregullta dhe jo në mënyrë ilegale. Me dëshirë do të shkoja për arsim dhe punësim”.

Edhe studenti tjetër në Fakultetin Ekonomik, Qazim Berisha, pranon dëshirën për të migruar, por ai tashmë është i vendosur që të mos e marrë një rrugë të tillë.

E shoh të ardhmen në Kosovë. Jam në fakultet, besoj se do të bëhet mirë në të ardhmen e afërt. Kohë pas kohe në Kosovë çdo njeri ka pasur dëshirë të dalë jashtë vendit, sepse vendet tjera ofrojnë punë, të avancojnë”, thotë Qazimi.

Por, Burbuqe Rudari konsideron se kushtet e rënda socio-ekonomike dhe mungesa e perspektivës pas përfundimit të studimeve, siç thotë ajo, po detyron të rinjtë të kërkojnë alternativë në shtete të ndryshme të Evropës.

“Për fakultet e kisha lëshuar Kosovën, por që të jetoj jo. Edhe pse nuk jam e kënaqur me gjendjen në Kosovë, shumica e studentëve përfundojnë studimet dhe nuk arrijnë të gjejnë ndonjë vend pune. E marrim diplomën dhe qëndrojmë në shtëpi. Por, nëse nuk mund të gjesh punë, duhet të gjendet ndonjë zgjidhje edhe jashtë kufijve të Kosovës”, thekson Burbuqja.

Në anën tjetër, Valdrin Kryeziu që studion Marketing, thotë se nuk ka ndonjë interesim për të migruar në asnjë vend të Evropës dhe botës. Ai shpreson se edhe në Kosovë ka perspektivë nëse ekziston vullneti dhe gatishmëria, por, siç thotë ai, Kosova është në ndërtim e sipër dhe nevojitet kohë.

“Këtu e kam të ardhmen, ka perspektivë nëse ke vullnet dhe gatishmërimë të shtuar, sesa në vende tjera. Ne duhet ta kuptojnë se Kosova është shtet vetëm qe 7 vjet, pra është në ndërtim e sipër. Ndoshta kjo është arsyeja pse autoritetet kompetente nuk mund të ofrojnë shumë për rininë”, konsideron Valdrini.

Numri i personave që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, thuhet se është rreth 23 mijë.

Kalimi ilegal është bërë fillimisht duke kaluar në Serbi dhe më pas, kryesisht përmes trafikantëve, duke kaluar në vendin e parë të BE-së, Hungari.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG