Ndërlidhjet

Shoqëria në Maqedoni është ndarë si asnjëherë më parë, institucionet shtetërore janë partizuar, si në arsim, shëndetësi, gjyqësi, e segmente tjera, ndërsa shteti vazhdon përzierjen në punën e mediave, por edhe në sektorin civil duke nxitur tensione që kanë kulmuar me polarizimin e plotë të shoqërisë.

Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave politike dhe të çështjeve sociale duke komentuar ngjarjet e fundit në Maqedoni, si dhe protestat e kundër-protestat që organizohen pas shprehjes së pakënaqësive të ndryshme.

Njëjtë kishte ndodhur me protestat e nxënësve dhe studentëve kundër reformave në arsim, me protestat e punonjësve shëndetësorë, me ato të sektorit civil kundër shtrenjtimeve, me protestat e punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara dhe së fundi me protestat e opozitës kundër qeverisë lidhur me bisedat e publikuara nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Një ditë pas protestës së opozitës, më 17 maj, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, mbajti kundër-protestë, ndërsa kampit të ngritur të opozitës para qeverisë, iu kundërpërgjigj me një kamp në mbështetje të qeverisë para Kuvendit të Maqedonisë.

“Ndarjet janë shumë të thella, opozita përjetohet si armike, kurse Kuvendi i ngjan një tubimi partiak të atyre që mendojnë njëjtë. Kundërshtari etiketohet, fyhet dhe satanizohet. Mungon ndjenja e përgjegjësisë, e nevojës për pasjen e një konsensusi për çështjet kryesore në shtet. Në vend të kësaj, partitë luajnë me ndjenjat e qytetarëve, të atyre që i kanë sjellë në pushtet për të mbrojtur interesat e tyre”, thotë Gordana Siljanovska, ligjëruese në Fakultetin Juridik të Shkupit.

Ekspertët vlerësojnë se Maqedonia ndodhet në momente të vështira si asnjëherë më parë, e ndarë në baza partiake, ndëretnike, shoqërore, ndarje në përcaktimet gjeostrategjike, por edhe në dilema artificiale se demokracia apo diktatura janë zgjidhje për zhvillimin e shoqërisë.

“Kjo është një situatë për të ardhur keq, e që më së paku na duhet. Ne jemi një shtet i ri dhe me pak përvojë në të gjitha aspektet, kjo që po ndodh nuk ndihmon në konsolidimin e sundimit të së drejtës, në mirëqenien e qytetarëve, në zhvillimin e shoqërisë”, thotë sociologu Gjorgji Tonevski.

Sipas njohësve të çështjeve politike, fajtor kryesor për ndasitë e thella në shoqëri janë para së gjithash partitë në pushtet.

Eksperti Albert Musliu thotë se në asnjë vend tjetër nuk ndodh që pushteti të organizoj protesta kundër opozitës, siç ndodh në rastin e Maqedonisë.

“Ndarjet e këtilla në shoqëri unë i shoh si përgjegjësi të pashmangshme të partisë në pushtet. Është paradoksale që ne të kemi protesta dhe kundër-protesta apo kampe dhe kundër-kampe. Këto janë karakteristika të shteteve autoritare, veprime të tilla kanë ndodhur në Bjellorusi dhe në kohën e Millosheviqit në Serbi, që të ketë protesta kundër qeverisë dhe kundër opozitës”.

“Kjo që po ndodh këtu është tendencë e VMRO-DPMNE-së, e cila viteve të kaluara ka organizuar kundër-protesta ndaj çdo lëvizjeje qytetare, por edhe politike. Ky është veprim i papërgjegjshëm, në veçanti për një shtet që synon të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike. Vlerësoj se kur në gjithë këtë proces përfshihen edhe subjektet politike qeveritare, kjo mund të nxisë ndarje më të mëdha në shoqëri që padyshim se gjenerojnë edhe tensione”, vlerëson Musliu.

XS
SM
MD
LG