Ndërlidhjet

BE-ja, e zemëruar me listën e zezë ruse


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Bashkimi Evropian është përgjigjur me zemërim ndaj ndalesës së udhëtimit që u ka vënë Rusia 89 politikanëve evropianë, përfshirë liderë ushtarakë.

Ata që ndalohen të hyjnë në Rusi përfshijnë sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të BE-së, Uwe Corsepius, ish-ministrin e Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, dhe ish-zëvendëskryeministrin britanik, Nick Clegg.

Bashkimi Evropian e ka cilësuar ndalesën si “arbitrare dhe të pajustifikueshme” dhe ka thënë se nuk i janë dhënë shpjegime në lidhje me të.

Shumica e të përfshirëve në listë janë kritikë të zëshëm të Kremlinit dhe disa prej tyre janë kthyer prapa nga Rusia, muajve të fundit.

Bashkimi Evropian ka thënë se ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme listën e të sanksionuarve, por deri më tani nuk i është dhënë asgjë.

Lista, as tani, nuk është publikuar zyrtarisht, por një version i saj ka rrjedhur on-line në gjuhën gjermane.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme ruse nuk ka konfirmuar emrat e të ndaluarve, por ka thënë se lista është rezultat i sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Zyrtari, i cili ka dashur të mbetet anonim, i ka thënë agjencisë ruse Tass se Moska ka rekomanduar paraprakisht që të gjithë diplomatët e vendeve që kanë vendosur sanksione kundër Rusisë, duhet të konsultohen me zyrat konsullore para se të udhëtojnë në Rusi, për të parë nëse janë të ndaluar ose jo.

Bashkimi Evropian ka ndërmarrë sanksionet pasi Rusia ka aneksuar Krimenë e Ukrainës në muajin mars të vitit 2014. Sanksionet janë zgjeruar me mbështetjen e Kremlinit për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Zyra e jashtme britanike ka reaguar duke thënë se autoritetet ruse “nuk kanë siguruar asnjë bazë ligjore për listën apo emrat në të”.

“Nëse Rusia mendon se ky veprim do të bëjë që Bashkimi Evropian të ndryshojë qëndrim, e ka gabim”, thuhet në reagimin e Zyrës së jashtme britanike.

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Margot Wallstrom, ka thënë se vendi i saj ka kërkuar shpjegim nga Rusia.

“Kemi kërkuar shpjegim nga Rusia, i kemi kërkuar po ashtu ambasadorit të Rusisë në Suedi që të na japë motivin… Formalisht, një shtet ka të drejtë të bëjë një gjë të tillë, por ne duam shpjegime se përse këta individë janë në listë”, ka thënë Wallstrom.

Në listën ruse ndodhen tetë zyrtarë suedezë.

Reagimi i ish-kryediplomatit çek, në anën tjetër, ka qenë ironik. Karel Schwarzenberg ka thënë se është i kënaqur që është pjesë e listës ruse.

“Kur kam parë emrat tjerë në listë, e kam parë se ndodhem brenda një rrethi shumë të mirë. Unë e konsideroj këtë si shpërblim”, ka thënë Schwarzenberg.

Vendet e tjera që kanë zyrtarë në këtë listë, përfshijnë Poloninë, Letoninë, Lituaninë, Estoninë, Danimarkën, Rumaninë, Bullgarinë dhe Spanjën.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG