Ndërlidhjet

Mustafa rizgjidhet kryetar i LDK-së, Osmani ia konteston legjitimitetin


Isa Mustafa

Isa Mustafa

Kuvendi zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka zgjedhur edhe për një mandat Isa Mustafën për kryetar të kësaj partie.

Isa Mustafa ka marrë besimin e shumicës së delegatëve të Kuvendit zgjedhor të LDK-së, me vetëm 2 vota kundër nga 350 sish.

Zgjedhja e Mustafës për edhe një mandat të kryetarit të LDK-së është bërë me aklamacion, ndërkohë që ai ka qenë i vetmi kandidat pasi që delegatët e LDK-së nuk e kanë aprovuar kandidaturën e Vjosa Osmanit për kryetare të kësaj partie, duke i dhënë asaj vetëm 62 vota.

Votimi me aklamacion dhe jo me vota të fshehta dhe pamundësia e kandidimit edhe të Osmanit për kryetare të LDK-së, kanë nxitur reagime të ndryshme në Kuvendin zgjedhor të LDK-së.

Megjithatë, Isa Mustafa, i cili tashmë ka marrë timonin e LDK-së edhe për katër vjetët e ardhshëm, ka deklaruar se zgjedhja e tij është bërë nga delegatët e kësaj partie, të cilët i ka vlerësuar të moralshëm për votën e tyre.

“Këta delegatë që kanë qenë këtu, janë të vetëdijshëm për votën e tyre, janë të moralshëm për votën që e kanë, sepse është pronë e tyre dhe nuk është pronë e imja ajo. Ata më kanë votuar të gjithë, me përjashtim të dy apo tre vetëve - do të thotë prej 349 sa kanë qenë aty. Çdo cilësim tjetër është çështje e edukatës personale, ndërkaq unë i vlerësoj votat e LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Por, Vjosa Osmani, e cila ishte pretendente për kandidate për kryetare të LDK-së, ka theksuar se gjatë procesit të zgjedhjes së kryetarit të kësaj partie, ishte shkelur statuti i vetë partisë dhe se delegatëve iu mohua e drejta për zgjedhjen ndërmjet dy e më shumë kandidatëve.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë partia e parë antikomuniste në vend, partia e parë antikomuniste shqiptare. Por, fatkeqësisht, sot, me veprimet e veta anti-statutare dhe antidemokratike e ka kthyer komunizmin. Zoti Mustafa, sot u zgjodh me aklamacion dhe me vetëm një kandidat, do të thotë, vetëm me kandidaturën e tij”.

“Kjo nuk lejohet me statutin e LDK-së, i cili shumë qartë eparasheh që kryetari i LDK-së të zgjidhet me më shumë kandidatë dhe me votim të fshehtë. Ata, pra, shkelën jo vetëm statutin, por shkelën edhe parimet themelore të partive simotra të EPP (Partive Popullore të Evropës), partive të qendrës së djathtë”, ka theksuar Osmani.

Në anën tjetër, pas pamundësimit të Osmanit që të kandidojë për kryetare të LDK-së, mbledhjen e Kuvendit zgjedhor të LDK-së e ka braktisur ish-kryetari i kësaj partie dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili po ashtu ishte përfolur si kandidat potencial për kryetar të LDK-së. Sejdiu ka theksuar se nuk pajtohet me një qasje që u bën presion delegatëve.

“Nuk është çështje e besimit apo mosbesimit. Problemi është në mënyrën e zbatimit të procedurave. Pikërisht, çështja e votimit në këtë formë, që është një votim që mbyll apo vret demokracinë shpirtërore apo shpirtin e demokracisë të delegatëve, të cilët, realisht, në suazat që ne i kemi, në këtë Kosovë, në këto rrethana kaq të vështira, sigurisht se e kanë vështirë karshi asaj pjese të trysnisë të madhe, që të deklarohen, në mënyrën sikurse edhe u deklaruan edhe për zonjën Osmani”, ka thënë Sejdiu.

Por, Isa Mustafa ka theksuar se delegatët e kësaj LDK-së kanë votuar për interesin e partisë.

“Ky është interesi i LDK-së. Unë e vlerësoj këtë interes. LDK-ja do të jetë më unike prej ditës së sotme dhe do të jetë më e organizuar. Do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe kjo është me rëndësi për ne. Do të thotë, kjo është një parti që sot është treguar shumë unike dhe shumë demokratike”, është shprehur Mustafa.

Por, Osmani konteston legjitimitetin e Mustafës si kryetar të LDK-së.

Kryetari Mustafa nuk është kryetar legjitim, sepse është zgjedhur në mënyrë jo statutare dhe nuk është kryetar i elektoratit të LDK-së. Ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona, në mënyrë që demokracia të kthehet në LDK”, ka thënë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Në Kuvendin zgjedhor të LDK-së, të dielën është votuar edhe për Këshillin e përgjithshëm të kësaj partie. Të propozuar kanë qenë 103 emra, ndërkaq 99 prej tyre janë zgjedhur.

Zgjedhjet e brendshme të LDK-së janë mbajtur pa praninë e medieve, të cilave u ishte ndaluar hyrja në ambientin ku janë mbajtur zgjedhjet.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës është subjekti i dytë më i madh politik në Kosovë. Kjo parti ka pasur disa palë zgjedhje dhe tre kryetarë të ndryshëm.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG