Ndërlidhjet

SHBA-së i skadojnë kompetencat e spiunimit

  • RFE /RL

Uashington (©Shutterstock)

Uashington (©Shutterstock)

Dispozitat anti-terroriste të Shteteve të Bashkuara që u lejojnë shërbimeve të sigurisë të mbledhin të dhëna nga bisedat telefonike, kanë skaduar, pasi Senati ka dështuar të arrijë marrëveshje.

Dispozitat kryesore të ligjit, i njohur si Akti Patriot, kanë skaduar në mesnatë, sipas kohës lokale.

Votimi për Aktin e Lirisë, një projektligj i rishikuar, që parasheh kontroll më të madh në mbledhjen e të dhënave nga bisedat telefonike, nuk do të zhvillohet deri në mes të javës.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se ky është një “gabim i papërgjegjshëm” i Senatit.

“Për një çështje kaq të rëndësishme si siguria jonë kombëtare, senatorët individualë duhet të vënë mënjanë motivet partiake dhe të veprojnë me shpejtësi. Populli amerikan nuk meriton asgjë më pak”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Dështimi për të arritur marrëveshje do të thotë se shërbimet e sigurisë kanë humbur përkohësisht të drejtën për të mbledhur të dhëna nga bisediat telefonike, me qëllim monitorimin e të dyshuarve për terrorizëm.

Agjencia për Siguri Kombëtare e Shteteve të Bashkuara, e cila udhëheq shumicën e programeve të mbikëqyrjes, ka nisur tashmë të shkyçë serverët që mbledhin të dhëna.

Për javë të tëra, lideri i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, ka argumentuar për zgjatjen e përkohshme të spiunimit nga Agjencia për Siguri Kombëtare.

“Të lejosh programin të skadojë, pa përpjekje për ta zëvendësuar atë, në kohën e kërcënimeve në rritje dhe agresive, është një rezultat i papranueshëm”, ka thënë McConell.

Por, ky zhvillim i ngjarjeve shihet si fitore e madhe për senatorin demokrat, Patrick Leahy, i cili është bashkautor i Aktit të Lirisë.

“Akti i Lirisë është një kompromis i hartuar me kujdes nga të dyja partitë, i cili mbron pavarësinë e amerikanëve, por po ashtu e mban vendin të sigurt”, ka thënë ai.

Për disa, megjithatë, reformat e ligjit nuk janë të duhurat për të mbrojtur liritë civile të amerikanëve. Senatori republikan, Rand Paul, ka thënë se mbledhja e të dhënave nga bisedat telefonike është kërcënim anti-kushtetues ndaj privatësisë.

“Ne nuk mbledhim informacione të spiunëve. Nuk mbledhim informacione të terroristëve. Mbledhim të dhëna nga qytetarët amerikanë, gjatë gjithë kohës”, ka thënë Paul.

Spiunimi nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare është bërë publik në qershor të vitit 2013 nga ish-kontraktori i kësaj Agjencie, Edward Snowden, i cili tani jeton në Rusi.

Agjencia për Siguri Kombëtare e SHBA-së ka gëzuar të drejtën e spiunimit qysh pas sulmeve të 11 Shtatorit, 2001.

Ajo ka spiunuar edhe disa firma evropiane. Në mesin e individëve në shënjestër ka qenë edhe kancelarja gjermane, Anegla Merkel. (v.tela)

XS
SM
MD
LG