Ndërlidhjet

Gjykata Speciale nuk votohet pa projektligjin e hartuar në Bruksel


Kuvendi i Kosovës nuk do t'i shqyrtojë as këtë javë amandamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e ka sjellë ende në Kuvend projektligjin për Gjykatën Speciale, i cili sipas koalicionit qeverisës do të duhej të miratohej të njëjtën ditë me amandamentet kushtetuese të propozuara po nga qeveria.

Ky projektligj, është rezultat i negociatave të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në Bruksel, por i cili, ende nuk ka marrë formën përfundimtare.

Kryetari i Kuvendit , Kadri Veseli ka thënë se nuk bëhet fjalë për vonesa e as pengesa procedurale, por për votimin brenda të ditës së amandamenteve dhe projektligjit.

"Qëllimi është që të njëjtën ditë të votohet për amandamentet kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me dhomat e specializuara dhe të njëjtën kohë edhe për projektligjin. Kjo ka qenë arsyeja pse nuk kemi sot procedim të amandamenteve të gjykatës dhe kjo ka qenë arsyeja pse herën e kaluar e kemi shtyrë mbledhjen për shkak të mungesës së projektligjit i cili pritet të vijë nga Qeveria e Republikës së Kosovës", ka theksuar Kadri Veseli.

Mirëpo, me konstatimet e kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të partive të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, nuk pajtohen deputetët opozitarë.

Sipas tyre, Gjykata Speciale nuk i duhet fare Kosovës. Kurse në rastin konkret besohet se koalicioni nuk i ka votat e mjaftueshme për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, andaj edhe po e zvarritë këtë çështje nga java në javë.

Deputeti i partisë Nisma, Haxhi Shala ka thënë se opozita është deklaruar tashmë kundër Gjykatës Speciale, kurse pozita e ka dëshmuar edhe me seancën e fundit se nuk i ka numrat për themelimin e saj.

"Votat nuk i kanë pasur as në seancën e kaluar dhe ne vazhdojmë të besojmë se ata ende nuk i kanë votat për t'i kaluar ndryshimet kushtetuese", ka deklaruar Shala.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka vlerësuar se themelimi i Gjykatës Speciale do ta suspendonte Kushtetutën e Kosovës.

"Neni 162 i propozuar për ta amandamentuar Kushtetutën për sa i përket themelimit të Dhomave të specializuara, fillon kështu: 'pavarësisht dispozitave të tjera të kësaj kushtetute'…Pra ky nen praktikisht e suspendon kushtetutën në tërësinë e saj", ka thënë Ymeri.

Javën e kaluar, Kuvendi vendosi të shtyjë votimin për amandamentet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës.

Arsyetimi i dhënë nga PDK-ja ishte se projektligji për gjykatën speciale i negociuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian ende nuk ishte përkthyer në të gjitha gjuhët.

Gjykata Speciale pretendon që të hetojë tutje supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 - 2000.

Sidoqoftë, besohet se shtyrja tutje e miratimit të amandamenteve kushtetuese ndërlidhet edhe me disa mospajtimeve përbrenda Grupit Parlamentar të PDK-së, ku disa deputetë të kësaj partie po shprehen kundër Speciales.

Pozicionimi kundër Gjykatës Speciale te disa deputetë të në PDK-së, vlerësohet se është shtresuar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe dënimit të shqiptuar ndaj të ashtuquajturit, "Grupit të Drenicës", ku bëjnë pjesë kryesisht ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht bartin poste në Partisë Demokratike të Kosovës.

XS
SM
MD
LG