Ndërlidhjet

Kampet e pushtetit dhe opozitës s'heqin dorë


Qytetarët me përkatësi të ndryshme etnike, të cilët më shumë se dy javë qëndrojnë para Qeverisë së Maqedonisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevki, thonë se Maqedonia është bërë një vend pa perspektivë për të rinjtë.

Gjeorgje, i cili është rreth të tridhjetave, qytetar nga Radovishi, thotë se do të qëndrojë para qeverisë derisa të largohet Gruevski, sepse siç shprehet ai, nuk mund të kthehet në qytetin e tij të lindjes. Atje, thotë ai, meqë atje e pret rruga e mërgimit, duke qenë se nuk ka punë, nuk ka para, dhe nuk sheh asnjë perspektivë në këto rrethana në të cilat ndodhe vendi.

“Katastrofë është gjendja e të rinjve, unë kur dal në qendër të qytetit prej nga vij, (Radovish), nga gjenerata ime pothuajse nuk mund ta gjej askënd. Të gjithë kanë ikur jashtë, sepse s`ka punë. Unë ka më shumë se pesë vite që jam profesor i diplomuar i edukatës fizike dhe nuk arrij të gjej punë”, thekson Gjorgji.

Jahi Demiri nga Haraçina e Shkupit, i cili është punëtor në ndërtimtari, thotë se ka dalë për të protestuar para qeverisë për më shumë arsye.

“Do të protestojmë këtu deri sa të rrëzohet qeveria e cila duket se ka menduar vetëm si të vjedhë popullin dhe asgjë tjetër. Na ka lënë pa punë, njerëzit e pafajshëm kjo qeveri i mban të mbyllur në burgje, pra këto janë arsye të mjaftueshme që kjo qeveri të japë sa më parë dorëheqje. Unë merrem me ndërtimtari, dhe mund të them se kohëve të fundit është pakësuar shumë puna si pasojë e korrupsionit”, thotë Demiri.

Përderisa qytetarët që po qëndrojnë me ditë të tëra para Parlamentit të Maqedonisë, të cilët i takojnë përkatësisë maqedonase, në mbështetje të politikave të qeverisë së Maqedonisë, thonë se kryeministri Nikolla Gruevski në asnjë mënyrë nuk guxon të japë dorëheqje, ngase në të kundërtën do të ketë punë me ata që ia kanë dhënë pushtetin.

Ata thonë se Qeveria duhet ta përfundojë mandatin dhe ta realizojë edhe atë përqindje të vogël të premtimeve që ende nuk është realizuar.

"Kemi një qeveri, kryeministër, të cilët kanë marrë besimin e popullit dhe ne jemi këtu në mbështetje të tyre, sepse pushteti ka realizuar të gjitha premtimet të cilat i dhanë gjatë zgjedhjeve, madje edhe më shumë".

"Nuk e kuptoj pse duhet të largohet kjo qeveri e cila bëri të hapen gjithë ato vende pune, gjithë këto ndërtime që janë bërë pse dikujt i pengon kjo nuk e kuptoj vërtetë“, thotë Orde Velevski, qytetar.

Ndryshe, mbështetësit e pushtetit dhe të opozitës, tash dy javë janë vendosur në kampe, njëra palë para qeverisë me kërkesë për t'u larguar kjo përbërje qeveritare, kurse të tjerët janë para Kuvendit të Maqedonisë në mbështetje të politikave qeveritare.

Që të dyja palët shprehen skeptike se zgjidhja e kizës politike do të ndodhë shpejtë, ndërkohë që thonë se janë në gatishmëri për të mbrojtur opsionet politike në të cilat kanë besim.

XS
SM
MD
LG