Ndërlidhjet

logo-print

Lojë politike e Vuçiqit me rastin e vëllezërve Bytyçi (?)


Edhe 16 vjet pas vrasjes në Serbi të tre vëllezërve, Agron,Yll dhe Mehmet Bytyçi, shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, përgjegjësit për vrasjen e tyre nuk janë vënë para drejtësisë.

Trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello, në Serbi.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka kërkuar nga Veran Matiq, shefi i Komisionit për hetimin e vrasjes së gazetarëve, që të përfshihet në hetimet që kanë të bëjnë me vrasjen e vëllezërve Bytyçi në vitin 1999.

Vuçiq ka thënë ta ketë angazhuar zotin Matiq, për shkak të “rezultateve që ai ka treguar në rastin e gazetarit të vrarë, Slavko Çuruvija”.

Fatos Bytyçi, të cilit pjesëtarët e Policisë serbe ia kanë vrarë tre vëllezërit në Serbi, thotë se çelësi për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve të tij është në duart e Qeverisë së Serbisë dhe kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq.

Në bisedën që Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë e ka bërë me Fatos Bytyçin, ku i fundit ka theksuar se edhe pas 16 vjetësh vendnumërimi për sa i përket zbardhjes së vrasjes së vëllezërve Bytyçi, paralajmërimi për formimin e një komisioni për zbardhjen e të vërtetës për këtë rast, në krye me Veran Matiqin, nuk ngjallë shumë optimizëm.

“Kam marrë një shkrim përmes postës elektronike nga Matiqi lidhur me rastin dhe në njëfarë mënyre jam tronditur, sepse kjo nuk do të sjellë rezultate. Nuk mundet ai që t’i marrë dokumentet nga Sigurimi i shtetit apo organet tjera të shtetit”, ka thënën Fatos Bytyçi.

Ai ka shtuar se nuk beson që mund të ketë rezultate pozitive nga kjo nismë. Sipas tij, e gjithë kjo është vetëm një hap politik i kryeministrit serb, Vuçiq, në prag të vizitës së tij në shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Tash ai vjen në Washington dhe e gjithë kjo do të tingëllojë, siç themi ne, vetëm sikur një ‘më fal” dhe të thotë që ‘ja ka filluar komisioni’. Për premtimet që i ka dhënë ai nuk ka bërë asgjë. Ka pasur mjaft kohë që të merren me këtë çështje, por kanë fjetur”, theksoi Fatos Bytyçi.

Por, kush po e frenon vërtetimin e përgjegjësive për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi, si dhe faktet se kush dhe si i ka vrarë? Fatos Bytyçi, shpreh bindjen se çelësi për këtë është Goran Radosavljeviq Guri, ish-oficer i policisë serbe.

“Unë ia kam dhënë atij dokumentet dhe gjithashtu edhe ish-kryeministrit Ivica Daçiq, se si Gri jep urdhër që vëllezërit e mi të likuidohen në Petrovo Selo. Unë ua dhashë atyre dokumentet e ata u shtangën. Autoritetet në Serbi e dinë se kush janë vrasësit e vëllezërve të mi".

"Kanë mjaft argumente. Ka edhe mjaft dëshmitarë që dëshirojnë të dëshmojnë për këtë rast, por ata njerëz po marrin kërcënime nga Goran Radosavljeviq Guri. Këtë e dinë edhe Prokuroria për krime lufte, por edhe edhe ata kanë frikë që ta tregojnë gjithë historinë e rastit të vëllezërve Bytyçi dhe mund ta thonë se ku është problemi”, tha Fatos Bytyçi.

Ai nuk beson që vizita e paralajmëruar e kryeministrit Serb në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të mund t’i ndryshoj gjërat. Sipas tij, po të donte Vuçiq që ky rast të zgjidhej, kjo edhe do të ndodhte, sepse siç thotë ai, “Vuçiqi e ka në dorë Agjencinë Informative të Sigurisë (BIA) dhe krejt Serbinë”.

“Në qoftë se Vuçiq dëshiron ta japë ‘dritën e gjelbër’, ky rast do të zgjidhej deri më tash. Nuk do t’i hyjmë tash politikës, por tash, po bëjnë kinse ‘hajt ta formojmë komisionin’. Ky e kë bërë këtë veprim, si lojë politike, në mënyrë që të thotë diçka në Uashington, se po bëjmë diçka dhe kemi filluar të punojmë për rastin e vëllezërve Bytyçi”, tha Fatos Bytyçi.

Ndryshe, ditë më parë, kryeministri serb Vuiçiq, ka theksuar se rasti i vëllezërve Bytyçi është një nga “çështjet e hapura që vazhdon të rëndojë marrëdhëniet amerikano-serbe”.

Për vrasjen e vëllezërve Bytyçi kanë qenë të akuzuar policët Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, të cilët pas dy gjykimeve janë liruar.

Për këtë rast, më 22 tetor të vitit 2013, edhe Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, kishte iniciuar një rezolutë, përmes së cilës kërkoheshin hapa të mëtejmë nga autoritetet në Serbi për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG