Ndërlidhjet

Termi "gjenocid", pengesë për Gjykatën Speciale


©Shutterstock
©Shutterstock

Nuk janë vetëm detajet teknike, por edhe ato përmbajtësore që po e pengojnë procedimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale për Krime Lufte për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Termi gjenocid në këtë Projektligj, përbën një prej mospajtimeve kryesore. Projektligji në fjalë është negociuar nga Qeveria e Kosovës me e përfaqësuesit ligjor të Bashkimit Evropian.

Ky draft-ligj, sipas procedurave të ndjekura, mendohet të procedohet menjëherë pas miratimit të amandamenteve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale.

Kjo gjykatë pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 - 2000.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, njëherësh anëtar i Komisionit për Legjislacion thotë se projektligji ende nuk i është proceduar Komisionit dhe nuk mund të dihet përmbajtja finale e tij.

Por, termi gjenocid, sipas tij, në çdo rrethanë bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

"Me Kushtetutë dhe ligjet e aplikueshme nuk munden me qenë pjesë e legjislativit, sepse fjala gjenocid e tejkalon edhe atë që ndërlidhet me Kushtetutë dhe të drejtat e njeriut, por edhe me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale".

"Termi gjenocid përfshinë një gamë më të gjerë të veprimit, qoftë të eliminimit masiv njerëzor apo edhe zhdukjes së tërësishme të një popullate e cila nuk ka ndodhë në Kosovë, por ka ndodhur në raportin e Serbisë me shqiptarët e Kosovës", ka thënë Zemaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Në rast se Brukseli nuk pajtohet për fshirjen nga Projektligji të termeve të papranueshme, atëherë, sipas Zemajt, Kuvendi i Kosovës duhet ta ndryshojë këtë Projektligj gjatë fazës së shqyrtimit dhe miratimit.

"Komisioni edhe Kuvendi duhet ta ndryshojë. Termi gjenocid nuk mund t'i mvishet Kosovës në asnjë rrethanë", ka theksuar Zemaj.

Përderisa partitë partnere në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike janë në kërkim mbështetjes për miratimin e amandamenteve kushtetuese dhe modifikimit të Projektligjit për Gjykatën Speciale, partitë opozitare janë vënë kundër kësaj gjykate.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se zgjidhja e vetme është mospranimi i kësaj Gjykate nga ana e institucioneve të Kosovës.

Sipas tij, nuk është vetëm termi gjenocid i papranueshëm, por edhe vetë tërësia dhe tendenca për aktakuza dhe hedhje të fajit ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi.

"Ne e kemi ngritur në vazhdimësi në kuadër të argumentimit tonë kundër Gjykatës Speciale dhe akuzave që përmban ky rast, ndër to edhe termin gjenocid ose akuzën për gjenocid, e cila e bën edhe më problematike këtë gjykatë. Dihet fare mirë se kush ka kryer gjenocid në Kosovë dhe kjo ka qenë pala serbe, shteti serb i cili në mënyrë sistematike ka vepruar në kuadër të asaj që konsiderohet si tentim gjenocidi dhe gjenocid", ka thënë Çaushi.

Sa i përket kostos financiare, Bashkimi Evropian thuhet se i ka marrë përsipër të gjitha shpenzimet e themelimit të Gjykatës Speciale, përfshi edhe pagesën e stafit, i cili pritet të jetë në përbërje ndërkombëtare.

Kurse për mbrojtjen e të akuzuarve në këtë proces, kishte një ide nga Qeveria që Kosova që të merr përsipër mbulimin e shpenzimeve.

Por siç ka thënë të martën, deputeti Armend Zemaj, kjo ide tashmë shihet si e papranueshme, pasi që askush, sipas tij, nuk mund të mbrohet me taksa të qytetarëve të Kosovës për disa krime të supozuara, për të cilat bën fjalë Gjykata Speciale.

XS
SM
MD
LG