Ndërlidhjet

Kosova pret rekomandime pozitive për liberalizimin e vizave


Ilustrim
Ilustrim

Kosova pret rekomandime pozitive nga Komisioni Evropian në lidhje me kriteret e përcaktuara për liberalizmin e vizave Schengen për qytetarët e Kosovës.

Ministria për Integrime Evropian në qevrerinë e Kosovës ka përmbyllur tashmë raportin e dytë ku përfshihet përmbushja e kritereve evropiane të përcaktuara nga misioni vlerësues i Bashkimit Evropian.

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë dokument janë përfshirë aspektet teknike dhe pakot ligjore të domosdoshme për këtë proces.

Tani, Çollaku pret që Bashkimi Evropian t'i ndërmarrë veprimet e veta, ku ndër të tjera përfshihet dërgimi i një misioni të ri vlerësues në Kosovë.

"Pastaj, bazuar në të gjeturat e këtij misioni vlerësues do të bëhet një raport tjetër nga ana e Komisionit Evropian, i cili do të shqyrtohet nga Komisioni Evropian dhe normalisht nga shtetet anëtare dhe më pastaj do të shohim se cilët do të jenë hapat pasues".

"Ne presim që misioni vlerësues i Bashkimit Evropian të bëjë një vlerësim korrekt, meritor të punës që është bërë në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe bazuar mbi këtë meritë ne pastaj të marrim edhe një rekomandim pozitiv nga ana e Komisionit Evropian", ka thënë Çollaku.

Ministri Çollaku pret që procedurat që do të aplikojë Brukseli për këtë rast, të përmbyllen deri në fund të këtij viti.

Megjithatë, zyrtarë të Bashkimit Evropian, përveç kritereve teknike në shumë raste kanë përmendur edhe çështje tjera që ndërlidhen me reformat në administratë apo edhe me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shefi i sektorit të politikës, ekonomisë dhe integrimit evropian në Zyrën e Bashkimin Evropian, Thomas Gnocchi ka thënë se Kosova po hyn në fazën përfundimtare sa i përket liberalizimit të vizave, por sipas tij, kriza gjashtëmujore politike si dhe ajo e migrimit ilegal kanë ndikuar shumë negativisht, sa i përket udhëtimit të kosovarëve në vendet e BE-së pa viza.

"Para së gjithash është paragrafi numër tre, rendi publik ligjor dhe siguria, ku ka më së shumti rekomandime, e të cilat mendoj se ndërlidhen me adresimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit", ka thënë Gnocchi.

Por, ministri Bekim Çollaku, thotë në anën tjetër se reformat apo edhe çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit nuk mund të përmbyllen me përmbushjen e kritereve teknike për liberalizim të vizave, ngase ato do të vazhdojnë tutje si një angazhim i përhershëm ngjashëm me shtetet tjera.

"Çështjet tjera që ndërlidhen me reformat dhe me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë çështje që nuk përmbyllen me procesin e liberalizimit të vizave. Ato janë çështje permanente që do ta përcjellin Kosovën jo vetëm deri në momentin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, mirëpo edhe më tutje”, ka theksuar ministri Çollaku.

“Është bërë punë e madhe në ndërmarrjen e reformave të ndryshme si në drejtësi, administratë publike, në ekonomi e sektor të ndryshëm, por këto reforma nuk kanë përfunduar. Ato janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë në të ardhmen. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit’, ka thënë Çollaku.

Pritjet e institucioneve të Kosovës janë që nga mesi i vitit 2016 qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

Ndërkaq në rast se Brukseli vendos kritere shtesë, atëherë kjo besohet se do ta shtynte këtë proces dhe këtë pritje për të paktën edhe një vit tjetër.

XS
SM
MD
LG