Ndërlidhjet

Komunitetet RAE, problem me vaksinim


Çdo vit në botë, vaksinimi shmang rreth 2 deri 3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse.

Imunizimi në Kosovë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, është njëra nga pikat më të ndritshme në sistemin e shëndetësisë, me mbulimin prej mbi 95 për qind.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka deklaruar se Kosova njihet si vend me imunizim të mirë, duke kaluar edhe shumë vende të zhvilluara evropiane.

Por, ai gjithashtu shtoi se ka vend që ende të punohet në këtë drejtim. Sipas të dhënave në teren, pesë për qind e fëmijëve të pa-vaksinuar janë kryesisht të komuniteteve Rom Ashkali dhe Egjiptas.

"Duke e pas parasysh që Instituti Kombëtar tashmë ka arritur suksese të konsiderueshme në mbulimin me vaksinim në përgjithësi në programin e zgjeruar të imunizimin në bazë të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, po vazhdojmë me këtë sukses duke përfshirë edhe grupet e pa mbuluara deri më tani, që janë komunitetet Rom, Ashkali ,Egjiptas".

"Në kohët e fundit kemi vaksinuar rreth 1,500 fëmijë që janë vaksinuar shtëpi më shtëpi, duke tentuar që t'i mbulojmë të gjithë ata fëmijë që nuk janë të vaksinuar. Problemi konsiston në faktin që nuk janë gjetur ata fëmijë të cilët nuk kanë qenë në shtëpi në adresat që ne i kemi poseduar. Por tash së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, po tentojmë t'i gjejmë edhe ata fëmijë në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet i pa vaksinuar", tha Ramadani.

Sidoqoftë, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se ky mekanizëm i ka përkrahur në vazhdimësi institucionet shëndetësore drejt fuqizimit të sistemit të vaksinimit.

Ai tha se OBSH-ja është e kënaqur që ka qenë pjesë e një tregimi shumë të suksesshme të vaksinimit të fëmijëve në Kosovë.

Falë vaksinimit, tha ai, është arritur që të mbrohet shëndeti i fëmijëve dhe të parandalohen shumë sëmundje ngjitëse.

Ndërkaq në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se me komunitetet RAE është ngecur në gjithpërfshirjen e fëmijëve në imunizim.

"Ministria e Shëndetësisë mbulon dhe i furnizon të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë të rregullt me vaksina sipas kalendarit të vaksinimit. Të gjithë fëmijëve më pas u shkojnë ftesat për vaksinim".

"Por me komunitetet RAE është pak më problem, ku nuk kemi përgjigje të kënaqshme të këtyre fëmijëve për t'u vaksinuar. Andaj në bashkëpunim me Institutin Kombëtar kemi bërë marrëveshje që të vaksinohen edhe këta fëmijë me ekipet në teren nëpër shtëpitë e tyre", bëri të ditur Valbon Krasniqi, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Edhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka përkrahur në vazhdimësi Ministrinë e Shëndetësisë në sigurimin e vaksinave për programin e zgjeruar të imunizimit.

UNICEF-i vazhdon të ofrojë vaksina me çmime më të lira, të cilat sigurohen nga prodhuesit e parë të kualifikuar nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

XS
SM
MD
LG