Ndërlidhjet

logo-print

Gjykata Speciale – Kosova po “rrezikon legjitimitetin”

  • RFE /RL

Ambasadroja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të themelojnë Gjykatën Speciale për krime lufte.

Në të kundërtën, Jacobson ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë strategjikë nuk do të bllokojnë më tutje procesin e themelimit të kësaj gjykate nga Kombet e Bashkuara.

“U bëj thirrje liderëve politikë, qeverisë dhe kuvendit që ta marrin seriozisht këtë dhe të lëvizin përpara, e jo të rrezikojnë legjitimitetin e vazhdueshëm dhe reputacionin, për shkak të një numri të vogël të njerëzve që mund të akuzohen nga kjo gjykatë”, ka thënë Jacobson.

Ajo i ka bërë këto komente me rastin e aktivitetit të USAID-it “Angazhimi për barazi”, i cili ka nisur të mërkurën në Prishtinë.

Jacobson ka thënë se është duke pritur nga Qeveria e Kosovës që të pranojë draftin e fundit për Gjykatën Speciale për krime lufte, i cili është prezantuar nga Brukseli.

Kërkesa për themelimin e kësaj gjykate ka pasuar hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për përfshirjen e disa ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës.

Javën e kaluar, Kuvendi ka shtyrë votimin e ndryshimit kushtetues për themelimin e këtij institucioni, me arsyetimin se nuk është përkthyer ende drafti final i Ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte, i cili është negociuar midis Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Opozita në Prishtinë është katergorikisht kundër themelimit të kësaj gjykate.

Të mërkurën, tre liderët e partive opozitare kanë kërkuar nga udhëheqësit e institucioneve shtetërore në Kosovë, që të ndërpriten menjëherë të gjitha veprimet politike dhe institucionale në lidhje me ndryshimin kushtetues, për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte.

Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, kanë nënshkruar një letër publike, drejtuar presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendës-kryeministrit të parë, Hashim Thaçi. (v.t)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG