Ndërlidhjet

Sulmet ajrore “vrasin 19 civilë në Jemen”


Pamje nga Jemeni
Pamje nga Jemeni

Nëntëmbëdhjetë civilë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në Jemen, pas bombardimeve të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.

Kështu raporton agjencia shtetërore e Jemenit Saba duke shtuar se banorët vendës kanë thënë se bombardimet që kanë filluar të mërkurën, kanë vazhduar edhe sot.

Raportimi i Saba-s, agjenci e cila kontrollohet nga lëvizja jemenase Huthi, nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Burimet i kanë thënë agjencisë se të mërkurën nga bombardimet kanë mbetur të vrarë 13 persona, ndërsa 6 persona të tjerë kanë humbur jetën pasi një tank ka sulmuar një veturë, në qarkun afër kufirit me Arabinë Saudite.

Koalicioni i shteteve arabe ka bombarduar rebelët Huthi, si pjesë e përpjekjeve për të rikthyer presidentin e vendit Abd-Rabbu Mansour Hadi në pushtet.

Sulmet ajrore kundër rebelëve Huthi kanë filluar në muajin mars, vetëm pak kohë pasi presidenti Hadi mërgoi në Arabinë Saudite.

Rebelët Huthi thonë se ata janë pjesë e “revolucionit” kundër korrupsionit.

Ata kanë marrë nën kontroll kryeqytetin Sanaa në shtatorin e vitit të kaluar dhe tashmë kontrollojnë shumicën e terrorit të vendit.

Kombet e Bashkuara po planifikojnë të organizojnë bisedime paqësore midis palëve luftuese në Jemen.

Diplomatët kanë thënë se ato do të mbahen më 14 qershor në Gjenevë.

XS
SM
MD
LG