Ndërlidhjet

Në Kosovë, përveç dhjetë bankave komerciale veprojnë edhe 18 institucione mikrofinanciare.

Këto institucione janë organizata që ofrojnë kredi të vogla për individët, bizneset familjare me të ardhura të ulëta, duke përfshirë këtu edhe kredi solidariteti dhe kreditim te fshatrave.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, vlera e kredive në këto institucione ka arritur në mbi 75 milion euro, por norma e interesit për kredi në këto institucione arrin në 23. 3 për qind, apo gati tri herë më të larta se në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë.

Ekspertë për çështje financiare, theksojnë se kamatat në disa institucione janë jashtëzakonisht të larta, por që kërkojnë nga autoritete kompetente që të mbikëqyret prejardhja e mjeteve të tyre.

Megjithatë, Mejdi Bektashi profesor në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se problemi kryesor në këtë fushë qëndron tek shkalla e koncentrimit, pasi ai thotë se tri institucione më të fuqishme mikrofinanciare kanë rreth 50 për qind të vlerës se tërë kapitalit të këtyre institucioneve.

“Këto institucione kanë 113 milion euro vlerë të aseteve ndërkaq vetëm 75 milion euro kanë të dhëna kredi, çka do të thotë se rreth 40 për qind e mjeteve nuk janë plasuar tek ekonomitë familjare apo ndërmarrjet. Një normë e tillë e interesit, sipas shënimeve të Bankës Qendrore të Kosovës, është shumë e lartë apo trefishi i normave efektive të interesit që paguhet tek bankat e ndryshme komerciale”, tha Bektashi

Edhe eksperti tjetër për çështje financiare Milazim Abazi, thotë se normat e interesit në këto organizata janë shumë të larta dhe këto norma pengojnë zhvillimin e bizneseve.

Por, Abazi thotë se në mungesë të mjeteve këto organizata marrin para edhe në bankat komerciale në Kosovë.

“Dallimi i burimit të mjeteve në mikrofinanca karshi bankave është disa herë më i lartë dhe kjo më pas ndikon në rritjen e kamatave të interesit në mikrofinanca. Mirëpo edhe pse kamatat janë të larta, shpesh herë qytetarët orientohen tek këto institucione për shkak të procedurave më të thjeshta. Shpesh herë nuk kërkohet hipotekë, kredia aprovohet për një kohë më të shkurtër dhe kjo i bënë më atraktive këto institucione” , shprehet Abazi .

Bektashi konsideron se këto institucione duhet të transformohen dhe të mbikëqyren nga BQK-ja, sepse një pjesë e kapitalit ai dyshon se mund të kalojë siç thotë në “burimet e paditura në botën e jashtme".

Bektashi ndërkaq thotë se burimet financiare të këtyre organizatave në shumicën e rasteve kanë qenë donacione apo burime anonime nga shtete të ndryshme dhe pastaj janë shndërruar në institucione mikrofinanciare.

“Këto mjete në Kosovë kanë ardhur më qëllim të zhvillimit të disa sektorëve, në radhë të parë për zhvillimin agrar dhe rural, ndërkaq burimet në shumicën e rasteve kanë qenë donacione të disa shteteve. Askund në botë nuk mund të ketë që donacionet pastaj të shndërrohen në institucione mikrofinanciare”, tha Bektashi.

Ndryshe, Mejdi Bektashi thotë se në Kosovë ekzistojnë dy institucione mikrofinanciare me kapital financiar të vogël, kredi të pakta, por që nuk kanë qëllim zhvillimin ekonomik, por qëllim për ndihma sociale ose për qëllime të përhapjes së ndonjë ideologjie të caktuar.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG