Ndërlidhjet

Maqedoni: Kohë e pamjaftueshme për reformat zgjedhore


Periudha deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të prillit të vitit të ardhshëm është e pamjaftueshme për përgatitjen e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike, thonë disa nga njohësit e çështjeve jurdike në Maqedoni, duke komentuar marrëveshjen mes partive politike.

Kjo marrëveshje i obligon ata që brenda nëntë muajve, pra, deri në zgjedhje të përmbushen shumë kritere, të cilat janë kërkuar shumë herë, por që nuk janë zbatuar nga institucionet përkatëse.

Bëhet fjalë për pastrimin e listës zgjedhore, ndryshimin e kodit zgjedhor, respektimin e të drejtave të bashkësive entike, lirinë e mediave, sundimin e së drejtës dhe shumë kritere tjera, që janë apostrofuar në rekomandimin e Komisionit Evropian për pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Çështja e kritereve, thotë Mirjana Najçevska, eksperte juridike dhe ligjëruese në Universitetin e Shkupit, lidhet edhe me atë që kush do t'i realizojë ato, në kohën kur partitë ende nuk janë marrë vesh mbi formën e qeverisë gjatë periudhës kalimtare.

Ajo thotë se reformat duhet të zbatohen nga një qeveri kalimtare apo e ekspertëve, por edhe në këtë rast, sipas saj, periudha është e pamjaftueshme për zbatimin e kritereve.

“Mendoj se është një periudhë e pamjaftueshme. Vlerësoj se më optimale do të ishte ishte që qeveria teknike, e ekspertëve, apo teknokratëve, të ketë një peridhuë prej një vit, apo edhe dy viteve për të realizuar gjithë ato detyrime që e presin".

"Nëse kësaj qeverie i jepet një mandat prej dy viteve, ateherë ajo mund t'i qaset ndryshimeve edhe më thelbësore në organet kryesore të sistemit gjyqësor, siç janë, gjykata kushtetuese dhe gjykata supreme", thotë Najçevska.

Mersim Maksuti, ligjërues i së drejtës kushtetuese në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se më me rëndësi është se kush do t'i realizojë reformat se sa periudha kalimtare prej 9 muajve.

Ai vlerëson se gjatë kësaj periudhe qeveria dhe institucionet tjera mund të përqëndrohen vetëm se në ato aspekte që kanë të bëjnë me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe ndoshta mund të arrijnë në kohë të përmbushin kriteret bazë.

Por, kjo sipas tij, nuk mund të realizohet nga pushteti aktual, por nga një qeveri kalimtare me drejtues krejt të rinj.

“Konsideroj se çështja më e rëndësishme mbetet se cili trup do t'i organizojë zgjedhjet. A do të kemi qeveri kalimtare, të përkohshme, të ekspertëve, pra cila qeveri do të siguroj mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike".

"Sa i përket çështjes tjerër se a do të jetë e mjaftueshme kjo periudhë transitore për përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demorkatike, konsideroj se kjo periudhë kohore edhe pse e shkurtër mendoj se është e mjaftueshme për arsyje se do të përqëndrohemi në çështjet më të rëndësishme, në ndryshimet më esenciale që vërtetë do të garantojnë zgjedhje të lira dhe demokratike“, thotë Mersim Maksuti.

Marrëveshja për zgjedhje të parakoshme në prill të vitit 2016, u kumtua nga Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe fqinjësi të Mirë, Johanes Hahn, pas takimeve me liderët e partive politike, të cilët janë pajtuar për realizimin edhe të më shumë reformave për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Por, dilema kryesore se kush do ti zbatojë zgjedhjet pritet të debatohet në takimin e radhës që pritet të mbahet në Bruksel, javën e ardhshme.

Nga opozita kanë thënë se marrëveshja mund të realizohet vetëm nga një qeveri kalimtare, pa kryeministrin, Nikolla Gruevksi.

XS
SM
MD
LG