Ndërlidhjet

Profesioni më fitimprurës në Kosovë vlerësohet të jetë politika, thonë përfaqësues të shoqërisë civile, sipas të cilëve pasuri më të madhe krijon në ndonjë post publik në sektorin shtetëror se sa më ndonjë biznes privat.

Sipas tyre, edhe pse Republika e Kosovës konsiderohet vendi më i varfër në rajon, me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë, megjithatë në vend ka qytetarë milionerë apo vlerësohen qytetarë të pasur, kryesisht nga politika.

Nga deklarimi i pasurisë që kanë bërë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, vërehet se zyrtarë të institucioneve, disa nga të cilët janë pjesë e legjislativit, kanë pasuri të paluajtshme, pasuri të trashëguar nga familja, para të gatshme dhe vetura luksoze.

Ndërkaq, pagat për ta sillen rreth 17 mijë euro vjetore.

Artan Demahasaj, përfaqësues ligjor në Organizatën Joqeveritare “Çohu“, shpreh shqetësimin se pasuria e tyre nuk korrespondon me pagat e tyre që marrin, madje pasuria rritet nga viti në vit.

“Pasuria që këta e kanë nuk është krijuar nga paga që ata e marrin sepse të gjithë zyrtarët e lartë më i mbledhë pagat bashkë, nuk mund të krijojnë pasuri milionëshe".

Pagat janë të ulëta dhe nuk korrespondon pasuria që këta e kanë me pagën që marrin. Kjo të krijon hapësirë për dyshime se pasuria e deklaruar, të jetë fituar në mënyrë të paligjshme”, thekson Demhasaj.

Të hyrat nga sektori publik kurrsesi nuk e arsyetojnë pasurinë milionëshe të shumicës se politikanëve në Kosovë, thotë edhe Agron Demi, kryeshef ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara GAP.

Demi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se "nga të qenurit pjesë e politikës në Kosovë, përfitimet janë të shumta, sepse shpenzimet për vete dhe familjen janë në minimum pasi shfrytëzohen resurset shtetërore".

Përfitim tjetër nga të qenurit në politikë, Demi përmend edhe punësimin e bashkëshortëve në sektorin privat.

“Të hyrat e sektorit publik nuk e arsyetojnë asesi pasurinë milionëshe të shumicës së politikanëve që janë në poste publike më shumë se një dekadë. Ata kanë krijuar pasuri milionëshe dhe nëse shikohen të hyrat vjetore apo përfitimet vjetore nga postet publike del se ato janë shumë më të mëdha se sa bizneset mesatare në Kosovë. Ky është problemi, sepse në Kosovë është bërë shumë më profitabile të kesh një post publik se sa një biznes privat”, tha Demi

Në anën tjetër Artan Demhasaj, nga Lëvizja “Çohu” thotë se në Kosovë mungon baza ligjore që sanksionon pasurinë e paligjshme. Një ligj i tillë, thotë ai, vështirë se do miratohet në Kosovë, pasi pasuria e tyre mund të përfundojë me konfiskim.

“Mungon baza ligjore që sanksionojnë pasurinë e paligjshme në mënyrë që autoritet e drejtësisë të kenë mundësi që të hetojnë pasurinë e tyre. Nëse nuk janë në gjendje të argumentojnë që pasurinë e tyre e bëjnë në mënyrë të ligjshme, shteti më pas ka të drejtë ta konfiskojë".

"Normal se këto ligje nuk do të bëhen asnjëherë sepse bëhet fjalë për ata zyrtarë të cilët i bëjnë ligjet. Kështu nuk presim se do të bëjnë ligje që të hetohet pasuria e tyre dhe mund të përfundojë me konfiskim të pasurisë“, tha Demhasaj.

Sidoqoftë, zyrtarë qeveritarë tashmë sa herë kanë deklaruar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që me reformat e nisura të rrisin edhe më shumë transparencën dhe kredibilitetin e sistemit për menaxhim me paratë publike.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG