Ndërlidhjet

logo-print

Ekspertët e çështjeve ekonomike iu bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës të marrin kredi te mekanizmat financiarë ndërkombëtarë. Huazimi i parave për projekte kapitale zhvillimore, sipas tyre, do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të vendit.

Ata theksojnë se Kosova nuk do të rrezikojë asgjë nëse futet në këto kredi dhe fillon të investojë në projekte kapitale.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se duke pasur parasysh mjetet e pamjaftueshme të buxhetit të Kosovës për të hyrë në projekte të mëdha, del se nevoja e Kosovës është shumë e madhe për të hyrë në marrëdhënie të tilla kreditore apo huamarrëse.

“Unë jam ithtar i asaj që shtetet duhet të jenë fleksibile, të punojnë në këtë drejtim dhe të hyjnë në marrëdhënie huamarrëse me institucionet ndërkombëtare, sidomos kjo vlen për Kosovën kur e dimë që raporti midis Bruto Produktit Vendor dhe borxhit të jashtëm që ka Kosova është i mirë, pasi që nuk ka borxhe të mëdha”, thotë Ramosaj.

Borxhi i publik i Kosovës, sipas statistikave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kap shifrën 392.8 milionë euro. Kjo normë e ngarkimit të borxhit të përgjithshëm vlerësohet të jetë dukshëm më e ulët se në shtetet tjera të rajonit.

Aktualisht, ky borxh është vetëm 10.6 për qind e Bruto Produktit Vendor.

Autoritetet në Kosovë, ndërkohë, kanë treguar se kanë filluar negociatat me Fondin Monetar Ndërkombëtar për huazimin e mjeteve për investim në projektet kapitale në Kosovë.

Muharrem Shahini, drejtor i Zyrës për Informim Publik në Ministrinë e Financave, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës është e interesuar që të marrë kredi nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë dhe se këto procese janë duke i negociuar me institucionet kompetente.

“Ministria e Financave është në proces të shqyrtimit të një programi të mundshëm me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Aktualisht, ekipet e Ministrisë së Financave dhe FMN-së janë duke analizuar në detaje mundësitë dhe nevojat buxhetore për bashkëpunim përmes një programi me FMN-në, në mënyrë që të sigurohet një huamarrje dhe kornizë e qëndrueshme makrofiskale dhe të financohen projekte kapitale konform programit qeverisës”, thekson Shahini.

Sa i përket shumës së kredisë, Shahini shpjegon se është akoma herët të flitet për shuma konkrete të huamarrjes, pasi që është fillimi i bisedimeve.

Projektet, të cilat nxisin zhvillim ekonomik, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike, Berim Ramosaj, duhet të mbështeten me këto mjete që institucionet e Kosovës mund t’i huazojnë nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

Pozita gjeostrategjike e Kosovës, shton Ramosaj, është e atillë që infrastruktura mund të bëjë çudira në aspektin e zhvillimit.

“Duke u mbështetur në kërkesat gjithnjë në rritje edhe të regjionit edhe të botës për projekte infrastrukturore, energjetike, qoftë të rrugëve, qoftë të shfrytëzimit të burimeve natyrore, unë mendoj që Kosova ka hapësira të mjaftueshme edhe në projektet e infrastrukturës, edhe në projektet energjetike, edhe në projektet tjera të shfrytëzimit të mineraleve dhe minierave”, shton Ramosaj.

Sidoqoftë, ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se e vetmja shpresë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, rritjes ekonomike, zbutjes së papunësisë dhe varfërisë, ka mbetur hyrja në kredi te mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG