Ndërlidhjet

Jeta plot halle e pensionistëve...


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Hulumtimet e bëra nga institucionet lidhur me gjendjen socio-ekonomike të pensionistëve, tregojnë se kjo kategori e shoqërisë përballet me shkallë të lartë të varfërisë.

Pensionistët kontribut-dhënës, sot marrin nga 140 euro në muaj, derisa vlera e pensioneve të moshës është 80 euro në muaj.

Në Kosovë, rreth 7 për qind të popullsisë së përgjithshme, e përbëjnë personat e moshës mbi 65 vjeç.

Edhe vetë pensionistët thonë se jeta si pensionist është mjaft e vështirë. Musa Sadiku, 75-vjeçar, thotë se pensioni që ai merr, është i pamjaftueshëm edhe për gjërat më elementare për një jetë normale.

"Pensioni nuk na mjafton as për një javë. Vetëm barnat që i blej dy herë në muaj, më kushtojnë rreth 40 euro. Ku mbetet pjesa tjetër, obligimet komunale, ushqimi të gjitha këto?! Jemi duke bërë jetë të vështirë”, thotë Musa.

Hulumtimi i bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me të moshuarit në Kosovë, dëshmon se rreth 80 për qind e njerëzve të moshuar raportuan të paktën një sëmundje kronike.

Edhe Menduhe Bytyçi, e cila ka punuar si infermiere për 44 vjet me radhë, flet për vështirësitë e jetës si pensioniste.

“Pensioni është shumë i ulët. Pensionistët ballafaqohen me gjendje socio-ekonomike dhe shëndetësore shumë të vështirë. Me 70 euro në muaj si mund të jetosh normalisht? Unë personalisht i marr 140 euro, pasi që kam punuar gjatë, për 44 vjet me radhë. Duhet menduar edhe për familje, jo vetëm për vete. Por, prapë nuk është keq, më mirë se mos të marrësh hiç. Dikush nuk merr hiç, dikush po merr aq shumë sa në fyt po i mbesin”, shprehet ajo.

Edhe kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, thotë se shuma e ulët e pensioneve bën që ata të ndihen të nënçmuar dhe të denigruar nga pushteti.

Sipas tij, 140 euro që i marrin pensionistët, nuk janë pension dhe nuk i pranojmë si të tilla, për faktin se, siç thotë ai, 75 euro i marrin për shkak të moshës që e kanë, ndërsa 65 euro i marrin pension.

Ai shton se askund në botë nuk ka pension 65 euro:

“Qeveria e Kosovës duhet t’i kthehet kësaj kategorie dhe ta zgjidhë problemin”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i personave të moshës mbi 65 vjeç, përkatësisht moshës së tretë në botë, është dyfishuar që nga viti 1980, ndërsa pritet që deri në vitin 2050 numri i personave mbi 65 vjeç të tejkalojë numrin e fëmijëve deri në 14 vjeç.

XS
SM
MD
LG