Ndërlidhjet

logo-print

A ka Kosova Strategji për diplomaci ekonomike?


Ilustrim

Ilustrim

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, thonë se janë duke zbatuar strategjinë e hartuar kohë më parë për diplomaci dhe çështje ekonomike e bashkëpunim ndërkombëtar.

Strategjia, sipas Adri Nurellarit, këshilltari politik i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur që të japë rezultate e para në disa aspekte.

“Gjithë dimensioni i diplomacisë ekonomike që vlen të përmendet është përpjekja për të nxitur dhe për të thithur investime të huaja. Kosova këtë vit e ka goxha të suksesshëm, ka firmosur një investim domethënës i pistës së skijimit të Brezovicës dhe kjo e bën resort turistik më të madhin në rajon”.

“Po ashtu, në aspektin e investimeve të huaja është duke u materializuar projekti i Kosovës së Re, janë hapa vendimtar për të mundësuar sjelljen e këtij investimi më të madhit energjetik në rajon”, thotë Nurellari.

Ai thekson se MPJ-ja ka edhe strategji të brendshme dhe plane veprimi, për të cilat është duke u punuar për tërheqjen e shumë investitorëve ndërkombëtarë në Kosovë.

“Kemi përcaktuar pikat kryesore dhe këto janë duke u zbatuar, pos atyre që i përmenda, edhe MSA-ja që pritet të firmoset në Këshillin Evropian në fund të qershorit; anëtarësimi në këto organizata është diçka konkrete, sepse ka procedura të cilat kërkohen, po ashtu edhe Ballkan-6 etj”, shpjegon Nurellari.

Njohësit e çështjeve ekonomike në Kosovës, konsiderojnë se vendet e rajonit, si rezultat i diplomacisë së efektshme ekonomike, janë duke u faktorizuar për shumë çështje në Evropë dhe më gjerë.

Safet Gërxhaliu, ekspert për çështje ekonomike, njëherësh kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se diplomacia ekonomike ka mbetur shumë mbrapa si pasojë e politikës së brendshme.

“Kohëve të fundit ka pasur probleme të natyrës politike, të cilat e kanë dominuar agjendën politike në Kosovë. Mirëpo, nga kjo agjendë politike duhet të kalohet në atë ekonomike. Në qoftë se do të jetë prioritet i prioriteteve zhvillimi ekonomik, strategjia e diplomacisë ekonomike wshtw ajo që duhet ta karakterizojë këtë veprim. Duhen hapa më konkretë, dhe jo vetëm të flitet për diplomacinë ekonomike”, konsideron Gërxhaliu.

Gërxhaliu thekson se për të pasur një strategji për diplomaci ekonomike të mirëfilltë dhe nëse mendohet se ajo duhet te ketë sukses, nevojitet një bashkëpunim edhe me mekanizmat ekonomike që veprojnë në Kosovë.

“Zyrtarë të MPJ-së në këtë drejtim mund të thonë se ekziston diçka konkrete, mirëpo ne si Odë Ekonomike, për momentin, nuk kemi ndonjë dokument që mund të quhet Strategji e diplomacisë ekonomike”, shprehet ai.

Në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ekziston Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar dhe është i organizuar në dy divizione.


Divizioni i parë për analiza dhe bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar, i cili orienton politikat për procesin e integrimeve ekonomike dhe divizioni për promovim dhe investime në bashkëveprim me institucionet tjera që thuhet sa ka strategjinë për tërheqjen e investimeve në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës edhe pse thuhet se ka Strategjinë për diplomaci ekonomike, ende nuk e ka publikuar atë për mediet.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG