Ndërlidhjet

Maqedoni: Të rinjtë, të painteresuar për trajnime


Shkupi

Shkupi

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoni, nëpërmjet “programit për punë praktike” synon krijimin e mundësive për të gjithë të rinjtë nën 29 vjeç, që kanë kryer arsim të mesëm dhe të lartë, të inkuadrohen në punë praktike te kompanitë private, në mënyrëqë të jenë më konkurrues në tregun e punës.

“Kam konkurruar në projektin qeveritar dhe tani po ndjek kursin për elektro- monter në objektet e banimit, me shpresë se do ta kem më lehtë të gjej një punë, e cila do t’më sigurojë të ardhura të përshtatshme. Puna praktike është një përvojë krejtësisht ndryshe nga ajo e studimeve gjatë katër viteve. Ndonëse mund të duket se ekonomia dhe elektro-inxhinieria s’kanë aq shumë gjëra të përbashkëta por përkundrazi tani e shoh se kanë shumë pika ku takohen”, thekson Darko Nikollovski, ekonomist i diplomuar.

Arlinda Baftiu, e cila ka menaxhuar shumë projekte, të cilat në fokus kanë të rinjtë në Maqedoni, thotë se shumica e të rinjve posedojnë njohuri të mirë teorike...

“Edukimi joformal nuk mjafton për të qenë konkurrues në tregun e punës, për shkak se një diplomë mund ta ketë pothuajse secili. Në tregun e punës kërkohen disa aftësi të tjera, të cilat lehtë mund t’i arrijnë të rinjtë".

"Mjafton të kenë vullnet dëshirë dhe interes për të përcjellë programe të ndryshme përkatësisht trajnime të ndryshme, përmes së cilave të rinjtë mund të plotësojnë dijen e tyre duke u bërë më të veçantë nga konkurrentët e tjerë në tregun e punës”, thotë Arlinda.

Ajo thekson se fatkeqësisht pjesa më e madhe e granteve të financuara nga faktori ndërkombëtar, përmes ambasadave ose drejtpërdrejt nga BE-ja mbeten të pashfrytëzuara nga të rinjtë e Maqedonisë, si rrjedhojë e mosinformimit, po edhe konceptit sociologjik të trashëguar nga e kaluara, se mjafton posedimi i një diplome për t’u punësuar.

"Sot ka mjaftueshëm trajnime, të cilat mund të ndiqen edhe falas, ku mund të merret edhe diplomë, dhe mendoj se këto njohuri të fituara jo vetëm që plotësojnë CV-në e të rinjve, por plotësojnë dhe aftësitë e të rinjve për t’u gjetur më mirë në vendet e punës, ku ata janë të angazhuar ose synojnë të angazhohen me punë”, shpjegon ajo.

Ndërkaq, Arben Halili nga menaxhmenti i Zonës së lirë ekonomike në Tetovë thotë se investitorët e huaj shumë vështirë e kanë të gjejnë kuadër të aftësuar, i cili mund t’u përgjigjet kërkesave të tregut të punës.

“Peshë shumë më të madhe se diploma që në aspektin figurativ paraqet një letër të printuar, ka përvoja praktike. Të rinjve në Maqedoni u mungojnë njohuritë praktike, të cilat njohuri mund të sigurohen vetëm duke qenë të angazhuar direkt në ndonjë kompani apo person i caktuar, i cili merret me veprimtari ekonomike”.

“Kemi shumë njerëz me diploma, por janë të paktë ata që plotësojnë nevojat e kompanive të huaja, apo konkurset e ndryshme, të cilat hapen nga sektori privat”, thekson Halili.

Ndërkaq, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, shprehet se përmes subvencionimit të kompanive private, të cilat mundësojnë punë praktike për të rinjtë, krijohet një mundësi e mirë për vetë kompanitë private për të siguruar kuadër adekuat, në mënyrë që praktikantët më të mirë edhe t`i punësojnë.

Sipas Spasovit, 30 për qind e atyre të cilët janë inkuadruar në procesin e punës praktike apo edukimit joformal, kanë arritur të gjejnë punë, qoftë në kompaninë, ku fillimisht janë angazhuar, ose kanë hapur biznes privat.
Por, ekspertët thonë se të rinjtë e kanë vështirë të binden për të investuar në dije kur bëhet fjalë për sektorin privat, përderisa pagat në sektorin shtetëror janë shumë më të larta, ndërkohë kërkohet shumë më pak punë dhe përgjegjësia është gjithashtu shumë më e vogël krahasuar me sektorin privat.

XS
SM
MD
LG