Ndërlidhjet

Faktorët që kushtëzojnë themelimin e Gjykatës Speciale


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte vazhdon të mbetet një prej sfidave ende të paparashikueshme për institucionet e Kosovës.

Koalicioni qeverisës i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, fillimisht duhet të kalojë sfidën e mbledhjes së 80 votave të deputetëve apo dy të tretat e numrit të përgjithshëm të ulëseve në Kuvend.

Kurse së dyti, mbetet ende e paqartë nëse Zyra Ligjore e Bashkimit Evropian i ka dhënë dritën jeshile spastrimit të tekstit të Ligjit për Gjykatën Speciale, ku referohej edhe termi gjenocid.

Gjatë javës së fundit, Qeveria e Kosovës nuk arriti që të procedojë për në Kuvend Projektligjin final të hartuar në negociatat me Bashkimin Evropian. Pa procedimin e këtij Ligji, partitë partnere janë deklaruar se nuk do të miratojnë as ndryshimet kushtetuese për t'i hapur rrugën themelimit të Gjykatës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë javës ishte shprehur optimist se çështjet do të rregullohen dhe projektligji do të shkojë në Kuvend për t'u miratuar bashkë me amendamentin kushtetues të propozuar nga Qeveria për themelimin e Gjykatës Speciale.

"Nuk ka ngërç. Nuk ka konflikt procedural. Kemi një marrëveshje, në të cilën kryetarët e grupeve parlamentare të koalicionit qeverisës kanë kërkuar që ta kenë edhe draft-ligjin te deputetët në mënyrë që të kenë mundësinë të procedojnë me ndryshimet kushtetuese. Kini parasysh që deputetët duan ta kenë edhe projektligjin në momentin kur procedojnë votimin e amendamentit kushtetues. kjo është e tëra", pati deklaruar Veseli.

Partia Demokratike e Kosovës, megjithatë ka disa pengesa nga brenda rreth themelimit të kësaj Gjykate. Disa nga deputetët e kësaj partie janë deklaruar hapur se nuk do ta votojnë atë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka konfirmuar në disa prononcime se nuk e sheh të arsyeshme themelimin e Gjykatës Speciale. Ajo i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka kuptim që të themelohet një gjykatë për krime të supozuara.

"Kjo gjykatë tashmë ka humbur kuptimin e saj. Nuk është parimore të themelohet një gjykatë për krimet e supozuara, kur ne i kemi krimet e faktuara në Kosovë që kanë ndodhur në luftën e fundit dhe askush nuk është përgjigjur për ato krime. Kështu që e konsideroj që kjo gjykatë është e pakuptimtë", është shprehur Musliu duke rikonfirmuar votën e saj kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Përderisa në PDK pritet të ketë kundërshtime, dy partitë tjera në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe janë deklaruar se do të votojnë për themelimin e Gjykatës Speciale.

Ndërkaq, kundër kësaj gjykate pritet të votojnë të tri partitë opozitare. Deputeti dhe kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj, kishte vlerësuar se themelimi i Gjykatës Speciale do të kufizonte sovranitetin e Kosovës. Sipas tij, askush nga deputetët dhe as nga institucionet nuk ka një mandat të tillë, që të kufizoj këtë sovranitet.

"Nuk ka gjë më të dëmshme e më të papranueshme sesa një vendim i tillë - Parlamenti i Kosovës, deputetët nuk kanë të drejtë dhe nuk kanë mandat që në emër, gjoja të qytetarëve, të ngrenë dorën për të kufizuar sovranitetin e shtetit të tyre. Këtë mandat e ka vetëm qytetari i Kosovës dhe vetëm përmes referendumit qytetarët e Kosovës mund të deklarohen për kufizimin e sovranitetit. Asnjë deputet, asnjë qeveri, asnjë grup nuk e ka të drejtën që ta bëjë këtë", kishte vlerësuar Limaj.

Tani për tani, nuk dihet nëse javën e ardhshme Kuvendi do të ketë në rend dite themelimin e Gjykatës Speciale.

Koalicioni qeverisës ka konfirmuar se gjithçka varet nga draftimi final i Projektligjit të negociuar me Bashkimin Evropian për këtë gjykatë.

Aty kërkohet sidomos që të mos figurojë në asnjë formë termi gjenocid, si dhe që lëndët të cilat do të shqyrtohen, të kenë një afat kohor dhe pas procedimit të mos rihapen më siç ka ndodhur nga vitit 1999 e këndej, kur shumë raste janë gjykuar e rigjykuar fillimisht nga UNMIK-u, pastaj nga EULEX-i e tani nga Gjykata Speciale.

Kjo gjykatë pretendon që të hetojë supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 - 2000. Në bazë të këtyre supozimeve, një Task Forcë ndërkombëtare e kryesuar nga prokurori amerikan Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë që zgjati tri vjet.

Ndërsa në Kosovë ka shumë dilema rreth kësaj Gjykate, nga faktori ndërkombëtar edhe këtë javë janë ripërsëritur mesazhet politike se dështimi i Kosovës që ta themeloj atë, do ta qonte çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG