Ndërlidhjet

logo-print

Olimpiada evropiane në Baku, historike për Kosovën


Ekipi olimpik i sportistëve nga Kosova, është duke i përfunduar përgatitjet për tu nisur për në kryeqytetin e Azerbajxhanit, në Baku, për të marrë pjesë në lojërat olimpike Evropiane, të cilat këtë vit mbahen në këtë vend.

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, kanë theksuar se tashmë përfaqësuesit e tyre kanë udhëtuar për në Baku.

Sipas tyre, sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në këto lojëra olimpike evropiane, do të nisen për në Baku më 11 qershor, ndërkaq më 12 qershor, në ditën e hapjes së olimpiadës evropiane, ata do të marrin pjesë në parakalimin e sportistëve të 50 shteteve pjesëmarrëse në këtë olimpiadë.

Besim Hasani, drejtues i Komitetit Olimpik të Kosovës, thotë se kjo do të jetë pjesëmarrje historike e sportistëve të Kosovës në olimpiadë, për faktin se kjo është hera e parë që ata janë pjesë e një olimpiade.

Sipas tij, Komiteti Olimpik i Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, në mënyrë që Kosova të prezantohet në Baku, në mënyrën më të mirë të mundshme, jo vetëm në gara, por edhe në aktivitetet tjera që organizohen në ngjarje të tilla sportive.

“Në Baku do të udhëtojnë 19 sportist nga 9 sporte të ndryshme. Ky është një numër mjaft i mirë, duke marrë parasysh që Komiteti Olimpik (i Kosovës) është njohur në një fazë të vonshme dhe ne nuk kemi pasur mundësi të marrim pjesë në aktivitetet tjera, të cilat kanë qenë kualifikuese për lojërat evropiane".

"Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, 5 sportistë tanë janë kualifikuar - 3 nga xhudoja, 1 nga karateja dhe 1 nga shigjetaria - ndërsa, 14 të tjerë janë me ftesa. Bëhet fjalë për sportistët më të mirë që i ka Kosova në këtë moment”, tha Hasani.

Ai ka shtuar se Kosova do të marrë pjesë në olimpiadën evropiane në Baku me 3 sportistë nga xhudoja, me 3 sportistë nga mundja, me 2 sportist nga shenjëtaria, me 2 sportist nga boksi, me 2 sportist nga shigjetaria, me 3 sportist nga noti, si dhe me nga 1 sportist nga çiklizmi, karateja dhe taekwondo.

Hasani, gjithashtu ka theksuar se bazuar në informatat që kanë dhënë federatat e sportit dhe trajnerët e sportisteve, Kosova ka gjasa që të kthehet me medalje nga lojërat olimpike evropiane në Baku.

“Vullneti është jashtëzakonisht i lartë midis sportistëve dhe trajnerëve dhe disponimi është në nivel. Do të thotë, aspekti psikologjik, por edhe përgatitja fizike - teknike është bërë në nivelin e duhur, kështu që pritjet tona janë reale se nuk do të kthehemi pa medalje”.

Se sportistët e Kosovës kanë bërë përgatitjet maksimale për pjesëmarrje në olimpiadën evropiane në Baku, thotë edhe Lumturie Rama, sportiste në disiplinën e shenjëtarisë, e cila do të jetë pjesë e ekipit të sportistëve nga Kosova.

“Kemi bërë tash përgatitjet maksimale për të qenë gati për të marrë pjesë atje. I kemi kushtuar rëndësi ushtrimeve të rregullta intensive për një kohë të gjatë, për t’i arritur ato maksimumet tona. Momentet në shenjëtari, varen, sepse nuk është krejtësisht fizik sa është mendor dhe psikologjik. Mirëpo, ne realisht kemi vullnetin dhe kemi përgatitur veten. Nuk dua të jem euforike dhe them se të gjitha medaljet do t’i kemi ne, por shpresoj që të kemi rezultate të pranueshme”.

Sido që të jetë, Rama, thekson se tashmë sportistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në Baku, ndjejnë se kanë marrë përgjegjësi të madhe.

“Është krenari, por edhe përgjegjësi, ngase këto lojëra janë të një rëndësie historike. Jo pse marrim pjesë ne, por sepse bëhet fjalë për garat e para olimpike, së pari për sportin e shenjëtarisë, por bëhet fjalë edhe për hyrjen në histori, të Kosovës si shtet pjesëmarrës. Natyrisht, janë të një rëndësie të veçantë edhe personale, pasi që do të jemi protagonistët e parë të ndërtimit të kësaj historie”.

Por, Hasani thekson se Komiteti Olimpik i Kosovës e ka parasysh presionin psikologjik që kanë sportistët nga Kosovë në olimpiadën në Baku.

“Ne nuk duam që t’iu bëjmë presion që me çdo kusht ata duhet të fitojnë medalje. Por, ne çfarë kërkojmë prej tyre dhe për çka ata kanë premtuar, është se ata do ta japin maksimumin”.

Ndryshe, ditë më parë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka pritur në një takim sportistët e Kosovës që janë pjesë e ekipit olimpik që do ta përfaqësoj vendin në Baku.

Ajo i ka dorëzuar flamurin e Kosovës, xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila, ndonëse nuk do të garojë në Baku, do ta bartë flamurin e vendit, në krye të ekipit të Kosovës, në hapjen e lojërave olimpike në Baku.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG