Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga: Rajoni, peng i mosrealizimit të reformave


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po merr pjesë në samitin e presidentëve të procesit “Bërdo-Brioni”, që po mbahet në Budvë të Malit të Zi, ka thënë se përparimi që vendet e përfaqësuara në këtë proces, kanë shënuar në konsolidimin e tyre demokratik në vitet e fundit, është i pamohueshëm.

Megjithatë, Jahjaga ka thënë se këto shtete vazhdojnë ende të mbeten peng i mosrealizimit të plotë të reformave, plotësimi i të cilave do t’i aftësonte ato për të qenë kandidate të denja për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Derisa një pjesë e këtyre reformave janë plotësisht çështje e brendshme e shteteve tona dhe institucioneve që drejtojnë ato, një pjesë e tyre varet nga vullneti ynë për të bashkëpunuar në mënyrë pragmatike për të çuar përpara rajonin në përgjithësi dhe shtetet tona në veçanti”, ka thënë Jahjaga.

Ajo po ashtu ka thënë se Kosova mbetet e angazhuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por ka theksuar se normalizimi nuk mund të jetë i plotë e as i mundshëm pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes palëve.

Samiti Bërdo-Brioni, i katërti me radhë, është një nismë e përbashkët e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG