Ndërlidhjet

Kosova merr 185 milionë euro kredi nga FMN


Ilustrim
Ilustrim

Republika e Kosovës ka arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej rreth 185 milionë euro, në kohëzgjatje prej 22 muajsh, për realizimin e disa projekteve kapitale të cilat ndikojnë në përmirësimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Kështu është thënë në konferencën përmbyllëse të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cilët për dhjetë ditë kanë qëndruar në Kosovë dhe kanë diskutuar me autoritetet kompetente lidhur me këtë marrëveshje.

Me këtë rast ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se niveli i ulët i borxhit publik të Republikës se Kosovës mundëson hyrjen në borxhe të reja ndërkombëtare.

Kurse sa i përket marrëveshjes se arritur ai ka thënë se programi adreson nevojat që ka shteti. Nga këto fonde, sipas tij, do të financohen projekte në bujqësi, infrastrukturë dhe arsim.

“Borxhi publik i Kosovës është mjaft i ulët, është 10 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe kjo na mundëson për të hyrë në kredi ndërkombëtare me kushte të favorshme për të mundësuar zbatimin e disa projekteve që kjo qeveri i ka bërë të ditura tash e sa kohë.

"Janë projektet në fushën e bujqësisë, në ujitjen e tokave, të infrastrukturës hekurudhore dhe projekte të tjera në arsim dhe shëndetësi”, ka thënë ministri Hoti.

Kurse, shefi i misionit të FMN-së për Kosovë, Jacques Miniane, ka thënë se rritja ekonomike në Kosovë ka mbetur relativisht e fortë dhe e qëndrueshme viteve të fundit, e nxitur pjesërisht nga remitencat e larta nga diaspora.

Por, ai ka thënë se ekziston një konsensus i gjerë që nevojitet një rritje ekonomike më e lartë për t’i afruar të ardhurat në nivele të vendeve fqinje dhe për të siguruar vende pune të cilësisë së lartë, për të cilat Kosova ka shumë nevojë.

Kurse sa i përket sektorit financiar, Miniane ka vlerësuar se ky sektor është stabil.

“Çështja kryesore tani është se kemi banka mjaftë të qëndrueshme, likuide, por këtu ka edhe kushte dhe afate kohore që parandalojnë, zvarrisin dhënien e kredive në një afat sa më të shkurtë. Kështu që ne do të punojmë së bashku që këto pengesa të hiqen në mënyrë që sektori financiar të mund të mbështes më mirë ngritjen e zhvillimit ekonomik", tha Miniane.

Ai ka shtuar se edhe në këtë sektor ekzistojnë disa sfida, si mungesa e valutës se Kosovës dhe kapaciteti i kufizuar i Bankës Qëndrore të Kosovës (BQK) për të vepruar si huadhënës i opsionit të fundit në sistemin bankar.

Se sektori financiar në Kosovë është është mirë i kapitalizuar, likuid dhe me trende pozitive të zhvillimit, ka treguar edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, Bedri Hamza.

“Programi gjithashtu i adreson edhe disa sfida, kemi disa obligime që në të ardhmen duhet të merremi me to. Kemi të bëjmë me përmirësimin e bazës legale sa i përket rezervës emergjente të likuiditetit, avancimin e mbikëqyrjes së bazuar në risk dhe gjithsesi edhe adresimin e reformave që kanë të bëjnë më sektorin e drejtësisë dhe më ngritjen e efikasitetit të gjyqësorit”, tha Hamza.

Sidoqoftë, marrëveshja e arritur në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, duhet të presë aprovimin e Menaxhmentit dhe Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Shqyrtimi nga ana e Bordit Ekzekutiv pritet të bëhet deri në fund të muajit korrik.

XS
SM
MD
LG