Ndërlidhjet

Dorëheqja e Blatter nuk e pengon Kosovën drejt FIFA-s


Sep Blatter
Sep Blatter

Sepp Blatter, kryetar i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), i cili katër ditë pas marrjes së edhe një mandati për ta drejtuar këtë mekanizëm botëror të futbollit, ka paralajmëruar dorëheqjen, ka qenë dhe mbetet mik i Kosovës dhe përkrahës i përpjekjeve të saj për tu anëtarësuar në FIFA, vlerësojnë drejtuesit Federatës së Futbollit të Kosovës.

Por, sipas tyre, paralajmërimi i zotit Blatter për dorëheqje nga kreu i FIFA-s nuk do të zbeh përpjekjet e futbollit të Kosovës për tu bërë pjesë e barabartë e kësaj federate, si dhe Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA).

Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk pret që dorëheqja e paralajmëruar e Blatterit të krijojë efekte negative në rrugën e Kosovës drejt pranimit në FIFA dhe UEFA.

“Nuk ma merr mendja, sepse ai ka trasuar një rrugë dhe për këtë e kemi quajtur edhe mik tonin. Ju e dini për koncesionet që i janë bërë federatës së futbollit të Kosovës dhe e dini që më shumë kemi pasur probleme me UEFA-n, probleme që janë ende ekzistuese".

"Ne shpresojmë që pikë së pari ne do të jemi anëtarë të UEFA-s dhe pastaj për FIFA-n, ne nuk i kemi pasur ato probleme që i kemi pasur me UEFA-n, sepse për pranim në FIFA nuk është kusht pranimi ( i Kosovës) në Kombet e Bashkuara”.

Ndryshe, FIFA ka paralajmëruar Kuvendin e jashtëzakonshëm pas muajit mars të vitit të ardhshëm. Por, Vokrri thekson se pritjet e Kosovës janë që deri atëherë t’i tejkalojë barrierat dhe të sigurojë pranimin në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA).

“Ne duhet ta tejkalojmë atë problemin e nenit famoz që na pamundëson që të bëhemi anëtar - meqenëse nuk jemi anëtar në Kombet e Bashkuara - dhe tash ekziston një vullnet i UEFA-s që edhe pa të, ky problem të tejkalohet. Më pas, mendoj që rrugët e FIFA-s janë të hapura dhe nuk do të kemi bllokime të tilla. Sigurisht që me zotin Blatter kemi pasur marrëdhënie shumë të mira dhe mendoj që edhe pasardhësi i tij, nuk do të ketë ndonjë ndikim negativ për neve”, theksoi Vokrri.

Edhe ekspertët e futbollit në Kosovë, vlerësojnë se dorëheqja e paralajmëruar e Blatterit nga kreu i FIFA-s nuk do të ndikojë në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar të futbollit.

Për më tepër, Bilbil Sokoli, trajner i futbolli dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shfaqur mendim krejt ndryshe nga përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sipas tij, edhe pse dyert e FIFA-s të drejtuar nga Blatter kanë qenë të hapura shumë shpesh për Federatën e Futbollit të Kosovës, ajo që deri më tani ka përfituar Kosova nga FIFA, është vetëm e drejta për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Kjo, sipas profesor Sokolit, është krejtësisht e pamjaftueshme për Kosovën.

“Unë mendoj se nuk është që nga Federata e Futbollit të Kosovës të përfitonte ndonjë votë më tepër. Por, unë mendoj se arsyeja se pse ai i dha premtime Federatës së Futbollit të Kosovës, ishte që ai të mos përballej me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Federatës së Futbollit të Kosovës nuk i mbetej tjetër përpos që të kërkoj drejtësi në GJND".

"Do të thotë, ato premtimet e mira që i ka dhënë Blatter, kanë qenë kthyer, sepse ai ka qenë i vetëdijshëm për situatën, brenda për brenda asociacionit, se çfarë e ka”.

Profesor Sokoli ka shprehur mendimin se Federata e Futbollit të Kosovës duhet që më tutje të thirret në kërkesën, të cilën ia ka drejtuar FIFA-s para 15 vjetësh, dhe të kërkojë pranimin e plotë në bazë të kërkesës.

Kjo sipas tij, për shkak se në mënyrë të ngjashme janë pranuar edhe disa vende tjera në FIFA.

Ndryshe, me 13 janar 2014, FIFA, e cila drejtohej nga Blatter, i dha dritën e gjelbër Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare miqësore, por pa simbole shtetërore.

Ndeshjen e parë miqësore, përfaqësuesja e Kosovës e zhvilloi me 5 mars të vitit 2015, me përfaqësuesen e Haitit.

Më pas përfaqësuesja e Kosovës, ka zhvilluar edhe një varg takimesh tjera miqësore, në Kosovë dhe jashtë saj, me përfaqësuese të ndryshme nga bota.

XS
SM
MD
LG